Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, duke bërë thirrje që të respektohen masat për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, raporton Ekonomia Online.
Hoxhaj në këtë vizitë u takua me myftiun e BIK-ut, Naim Tërnava, ku me këtë rast uroi të gjithë besimtarët myslimanë për muajin e shenjtë të Ramazanit.
“Për mua ishte një kënaqësi e veçantë që ta takoj dhe ta vizitojë Myftiun Tërnava dhe në emër të partisë tonë të gjithë besimtarëve myslimanë urojmë muajin e shenjtë të Ramazanit, Zoti ia pranoftë agjërimin sepse është një muaj i sakrificës dhe përkushtimit, andaj dëshiroj që në emër të partisë tonë të i uroj myftiut. Normalisht që biseduam edhe për tema tjera, sidomos në këtë kohë pandemie, ky muaj i shenjtë ndodhi në kohë pandemie dhe realisht që në Kosovë e bën të vështirë funksionimin e çdo familje, ne shpresojmë që qytetarët do t’i respektojnë kudo masat sepse shëndeti është më i rëndësishëm, dhe shpresojmë që shpejtë kjo temë do merr drejtimin e duhur që presim të bëhet nga Qeveria e Kosovës”, tha Hoxhaj.
Ndërsa, myftiu Tërnava, tha se në këtë takim biseduan edhe për pandeminë.
”Biseduam po ashtu edhe me gjendjen aktuale që mbretëron në vend sa i përket pandemisë Covid-19 si dhe për mundësi tjera të bashkëpunimi në dobi të qytetarëve tanë dhe shfrytëzoj rastin që në emër të BIK-ut ta falënderoj dhe lusim Zotin që bashkërisht me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit të na falë shëndet, mirëqenie në Kosovë, të gjithë vëllezërve e motrave tona në trojet etnike tona si dhe në mërgatën e largët”, tha mes tjerash myftiu Tërnava.