Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka njoftuar homologun e tij norvegjez, Børge Brende, për çështjen e demarkacionit dhe mundësinë e liberalizimit të vizave për kosovarët. Ai e ka siguruar atë që Kosova do të përfundojë këtë obligim ndërkombëtar.
Hoxhaj tha se Kosova nuk humb asnjë milimetër të tokës nga shenjimi i kufirit me Malin e Zi. “Një shtet duhet të tregojë kapacitet që marrëveshjet ndërkombëtare të përfundohen”, theksoi Hoxhaj.
Ndërsa ministri norvegjez, Brende, tha se e kupton që lëvizja e lirë është shumë e rëndësishme për kosovarët. Ai tha se nuk dëshiron të futet në hollësi për demarkacionin, por tha se kjo çështje duhet të zgjidhet së shpejti.
Hoxhaj pret mbështetjen e Norvegjisë për zhvillimin ekonomik të vendit
Duke e falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme që Norvegjia ia ka ofruar Kosovës në shtetndërtimin e saj, ministri Hoxhaj ka theksuar se shteti norvegjez vazhdon të mbetet një partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, të cilën po vazhdon ta përkrah edhe më tej në konsolidimin e shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar.
Me këtë rast Hoxhaj ka bërë me dije se me ministrin Brende, kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fusha të ndryshme si në ekonomi, në çështjen e sigurisë si dhe në procesin e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
“Kemi biseduar si të rrisim mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe si të kemi investitorë nga ky shtet. Për këtë në një të ardhme do të organizojmë një forum të përbashkët ekonomik me qëllim të tërheqjes së investimeve nga Norvegjia”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.
Hoxhaj ka theksuar se falë përkrahjes së vazhdueshme nga ky shtet, Kosova vazhdon të mbetet faktor stabiliteti, i sigurisë dhe i paqes në rajon. Ndërsa ka shtuar se ka kërkuar ndihmë nga homologu i tij edhe për ndërtimin e marrëveshjeve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe NATO-së.
Hoxhaj është shprehur se Republika e Kosovës pret që ky shtet të vazhdojë ta përkrahë Kosovën edhe më tej gjatë procesit të aplikimit në organizatat ndërkombëtare, si dhe të përfitojë nga përvoja norvegjeze për shtrirje të sovranititeti përmes anëtarësimit.
Nga ana tjetër ministri, Brende derisa ka kujtuar se shteti i tij ka përkrahur në vazhdimësi Republikën e Kosovës, ka theksuar se Norvegjia është mbështetëse e madhe e agjendës së Kosovës. Si shtet anëtar i NATO-së, ai ka deklaruar se Norvegjia brengoset për Ballkanin Perëndimor dhe siç ka shtuar ai ky shtet dëshiron të jetë partner në rritjen e stabilitetit në këtë pjesë të rajonit.
Ndërkaq sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ministri Brende ka vlerësuar se është një proces shumë i rëndësishëm dhe se Norvegjia e mbështet plotësisht këtë proces.