Hoxhaj e Ismaili prezantojnë planin e PDK-së për Rimëkëmbjen e shëndetësisë: Sigurim shëndetësor dhe barna falas

Prishtinë | 22 Jan 2021 | 19:29 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të PDK-së dhe kandidatin për deputet, Uran Ismaili kanë prezantuar sot programin e Partisë Demokratike të Kosovës për Rimëkëmbjen e shëndetësisë.

Hoxhaj ka theksuar se qytetarët e Kosovës me të drejtë janë të shqetësuar për rënien e nivelit të shërbimeve shëndetësore si pasojë e pandemisë dhe ata meritojnë një sistem politik të shëndetshëm në vend.

“Sfida për Rimëkëmbje të Sektorit tonë Shëndetësor është e madhe. Ajo prek çështje organizative, çështje të efikasitetit, çështje të prokurimit publik.Qytetarët kanë nevojë për siguri. Qytetarët kanë nevojë për udhëheqje të përgjegjshme. Qytetarët kërkojnë trajtim të barabartë. Qytetarët kërkojnë respekt. Dhe në vitin e fundit nuk e kanë pasur asnjërën prej këtyre. Në ballafaqim me sëmundjen të gjithë qytetarët janë të barabartë. Sëmundja nuk diskriminon në mes të varfërve dhe të pasurve. Ne mes të qytetarëve që njohin persona në pozitë dhe atyre që nuk njohin. Kosova e Shëndetshme kërkon Qeverisje të Shëndetshme. Qeverisje transparente, qeverisje kompetente, qeverisje të dijes. Kjo është çka PDK propozon. Kjo është për çka PDK zotohet.”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa, Ismaili ka thënë se për një vit, nga dy qeveritë, shëndetësia është udhëhequr pa vizion dhe pa dinamikë, duke shkaktuar pasoja shëndetësore, ekonomike dhe sociale.

Ai ka prezantuar planprogramin për Rimëkëmbjen e shëndetësisë së Kosovës që përfshin katër shtylla: 1. Pandemia nën kontrrollë, 2. Mjek për çdo familje, 3. Sigurime shëndetësore dhe barna falas dhe 4. Sistem shëndetësor modern.

Për më tepër, lexojini fjalimet e plota të Hoxhajt dhe Ismailit:

Enver Hoxhaj: Të dashur qytetarë, shumë të respektuar anëtarë të PDK-së,

Dua t’iu falënderoj të gjithëve për mesazhet dhe përgëzimet e shumta pas prezantimit tonë për programin e PDK-së për rimëkëmbjen ekonomike.

Faleminderit për interesimin e jashtëzakonshëm.

Qytetarët e Kosovës janë sinqerisht të interesuar që të dëgjojnë ofertat tona programore.

Qytetarët e Kosovës janë të etur që të kuptojnë politikat dhe t’i diskutojnë ato.

Qytetarët e Kosovës shprehin gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë aktivisht në proceset demokratike. Dhe ta marrin fatin e vendit tonë në duart e tyre.

Ata janë qytetarë të ndershëm dhe duan të jetojnë shëndetshëm.

Dhe ata kërkojnë një sistem politik të shëndetshëm në këtë vend.

Unë jam krenar me qytetarët tonë. Dhe jam shumë i motivuar me përgjigjen e tyre ndaj iniciativës së PDK-së për të shpalosur programin tonë qeverisës.

Qytetarët që duan shëndetësi më të mirë në Kosovë meritojnë respekt.

Këta bashkëqytetarë meritojnë të ju thuhet e vërteta.

Sepse ju meritoni transparencë.

Për fat të keq Vetëvendosje po i injoron qytatarët.

Sepse nuk i respekton proceset demokratike.

I intereson vetëm pushteti por jo qytetarët dhe interesi i tyre.

Kjo parti dëshiron pushtetin, por nuk po na tregon cka do të bëjnë me pushtetin.

Nuk dëshiron të diskutoj për programe me ne.

Por kjo është shumë e gabuar.

Vetëm regjimet autokratike e bëjnë këtë.

LVV-së i është dhënë shanca që të formoj qeverinë vitin e kaluar. Ata dështuan.

Sepse kjo parti përbëhet nga një njeri.

Albin Kurti nuk mund të bashkëpunoj me askënd. Ai e ka dëshmuar një gjë të tillë.

Sepse ai nuk e respekton askënd.

Sepse nuk i respekton rregullat e një procesi demokratik.

Sepse nuk i respekton institucionet tona.

Ne të gjithë e shohim qartë këtë.

Albin Kurti nuk e respekton procesin zgjedhor.

Ai nuk po na tregon se cka do të bëjë.

Ai nuk dëshiron të debatoj për programet që po i shpalosim ne.

Ai nuk e dëshiron një proces zgjedhor të shëndetshëm.

Ai nuk i respekton qytetarët. Ai i shikon nga lartë ata.

Por është e qartë që ai është duke u frikësuar.

Eshtë duke u frikësuar që qëllimet e tij do të dalin në pah.

Cka tha ai për planin tonë për rimëkëmbje të Ekonomisë, për Rimëkëmbje të Shoqërisë sonë?

Asgjë.

Në fakt, shumë më keq se kaq!

Ai foli për pushtet. Sepse kjo është tema e tij e preferuar.

Ai na tha të gjithë neve se tashmë i ka fituar zgjedhjet para se ato të ndodhin.

Ai na tha se nuk do të debatoj me mua. Cfarë arrogance! Cfarë egoizmi! Cfarë mosrespekti për qytetarët tanë!

Ai tha se do të jetë Kryeministri.

Por më lejoni t’i them unë atij diçka. Ai nuk është i denjë për të qenë Kryeministër.

Sepse është një njeri i vetëm. Sepse ai nuk mund të bashkëpunoj. Ai e ka dëshmuar veten e tij.

Qytetarët ja kanë dhënë atij një shancë. Dhe ai e ka hedhur poshtë atë.

Qeverisja e Shëndetshme është Puna në Ekip. Jo një shfaqje i një njeriu të vetëm si z. Kurti.

Pastaj, ai na dëshmoi edhe diçka tjetër.

Jo për nevojën e rimëkëmbjes së ekonomisë tonë dhe shoqërisë tonë. JO!

Ai foli edhe mëtej për temën e tij të preferuar. Si ti ndaj karriget e pushtetit.

Ai na tregoi se ka një marrëveshje me Vjosa Osmanin dhe një zotim publik se do ta përkrah atë për Presidente.

E pabesueshme!

Gjënë e vetme konkrete që e kemi dëgjuar nga z. Kurti është marrëveshja për ndarjen e pozitave të larta. Pra të karrigeve.

Kjo nuk është çështja z. Kurti. Çështja urgjente për Kosovën është Rimëkëmbja!

Së pari tregoju qytetarëve cka synon të bësh.

Së pari zotohu për qytetarët.

Së pari bëj si bëjmë ne.

Dhe prit për votat e tyre. Prit për vendimin e tyre.

Ndalo së kalkuluari pa vullnetin e popullit. Ky është një mosrespekt për demokracinë. Mosrespekt për qytetarët.

Por unë nuk mundem pa i thënë dy gjëra për Vjosën.

Jo shumë kohë më parë ajo deklaronte “Unë mund të bashkëpunoj me të gjithë përpos me LVV”!

Kjo ma kujton një prej citateve të mia të preferuara. Vjen nga një komedi e njohur amerikaneani:

“Këto janë parimet e mia. Por nëse nuk të pëlqejnë kam të tjera!”

Vendi ka nevojë për udhëheqje bazuar në parime.

Personi që synon pozitën e presidentit duhet të jetë parimor.

Duhet të jetë patriot.

Duhet të respektoj historinë e vendit.

Duhet të respektoj heronjtë e vendit.

Duhet të respektoj institucionet e vendit.

Por ky nuk është momenti për të diskutuar këtë.

Ky është momenti për të diskutuar politika. Rimëkëmbje. Rimëkëmbje. Rimëkëmbje.

Sot, PDK prezanton programin e Rimëkëmbjes së Shëndetësisë së Kosovës.

Qytetarët janë të shqetësuar për pandeminë. Kjo ka shkaktuar një rënie të madhe në nivelin e shërbimeve shëndetësore gjatë vitit të kaluar.

Qytetarët me të drejtë janë të shqetësuar.

Sfida për Rimëkëmbje të Sektorit tonë Shëndetësor është e madhe.

Ajo prek çështje organizative, çështje të efikasitetit, çështje të prokurimit publik

Qytetarët kanë nevojë për siguri. Qytetarët kanë nevojë për udhëheqje të përgjegjshme. Qytetarët kërkojnë trajtim të barabartë. Qytetarët kërkojnë respekt.

Dhe në vitin e fundit nuk e kanë pasur asjnërën prej këtyre.

Në ballafaqim me sëmundjen të gjithë qytetarët janë të barabartë. Sëmundja nuk diskriminon në mes të varfërve dhe të pasurve. Ne mes të qytetarëve që njohin persona në pozitë dhe atyre që nuk njohin.

Kosova e Shëndetshme kërkon Qeverisje të Shëndetshme.

Qeverisje transparente, qeverisje kompetente, qeverisje të dijes.

Kjo është çka PDK propozon. Kjo është për çka PDK zotohet.

Sikur me Bedri Hamzen për Ekonomi, jam krenar me punën që ka bërë Uran Ismaili si Ministër i Shëndetësisë. Uran Ismaili, është kompetent, parimor dhe i dijshëm.

Ai përfaqëson atë për cka qëndron PDK e ringjallur dhe e rimëkëmbur.

Urani ka pas një performancë shumë të sukseshme si Ministër i Shëndetësisë. Eshtë e dhimbshme që në kohë të vështira qytetarët tonë nuk kanë mundur që të përfitojnë nga udhëheqja e tij. Shpresoj që kjo do të ndryshoj së shpejti.

Të dashur qytetarë, aspiratat dhe besimi jonë për një Kosovë të shëndetshme arrihen vetëm me PDK-në dhe planin tonë për rimëkëmbje.

Uran, fjala është për ty!

Uran Ismaili: Falemnderit shumë!

Sot, kur pandemia si një shtrëngatë pa fund po e sulmon çdo aspekt të jetës sonë, është e domosdoshme që Kosova ta ketë prioritet shëndetësinë.

Për një vit, nga dy qeveritë, shëndetësia është udhëhequr pa vizion dhe pa dinamikë, duke shkaktuar pasoja shëndetësore, ekonomike dhe sociale.

Këtë më së qarti e ka ilustruar pandemia.

Nëse pandemisë nuk i kundërvihemi me dije, planifikim dhe vullnet, dhe nëse nuk e ndalim degradimin e përgjithshëm në shëndetësi, pasojat do të jenë të mëdha për qytetarët dhe vragët do të shihen gjatë në Kosovë.

Rimëkëmbja në shëndetësi është e domosdoshme dhe e pashmangshme.

Prandaj, Partia Demokratike ka dizajnuar një program, i cili i jep përgjigje pandemisë, fillon sigurimet shëndetësore si mburojë financiare për qytetarët, afron mjekun dhe qytetarin, si dhe modernizon sistemin shëndetësor.

Një program, që rikthen punët e mira që ne nisëm në vitin 2017, por të cilat u ndalën nga Qeveria Kurti dhe Hoti.

Ata i ndalën shërbimet falas në spitalet publike, që ishin jetike për qytetarët.

I ndalën stentimet në zemër në QKUK, përderisa ato vazhduan në spitale private.

Detyruan qytetarin që për një shërbim, të cilin e merrte falas, të paguajë prapë mijëra euro, në një kohë krize të thellë ekonomike.

Kur kam marrë mandatin si Ministër i Shëndetësisë, në vitin 2017, numri i stentimeve ishte vetëm 650 në vit. Me reformë dhe investime, në vitin 2019, stentimet i rritëm në 2350 në vit.

Fatkeqësisht, edhe këtë shërbim esencial që shpëton jetë, një herë e ndalën, pastaj e përgjysmuan dhe përfundimisht e përkeqësuan.

Në vitin 2020, u bënë vetëm 1150 stentime.

Abuzimi ndodhi edhe në blerjen e barnave dhe materialeve shpenzuese.

Në emër të pandemisë, dy Qeveritë blenë deri në 3000 % më shtrenjtë.

Kjo tregon qartë përkeqësimin në shëndetësi vitin e fundit, ndërsa e bën edhe më të domosdoshme rimëkëmbjen në këtë sektor.

Dhe, Partia Demokratike e Kosovës ka dizajnuar një program konkret për shëndetësinë, i cili ka katër shtylla kryesore:

SHTYLLA E PARË: PANDEMIA NËN KONTROLLË

VAKSINIMIN PËR TË GJITHË

Zbulimi i një vaksine efektive ka qenë ndër lajmet më të mira që kemi dëgjuar muajve të fundit. Fatkeqësisht, në Kosovë nuk ka ende asnjë vaksinë, nuk ka as datë të fillimit, dhe as plan se si do të bëhet vaksinimi dhe kur do të përfundojë pandemia.

Partia Demokratike e Kosovës konsideron se vaksinimi është prioriteti më i lartë për shëndetin publik.

Qeverisja e PDK-së do të vendosë kontaktet e menjëhershme me prodhuesit kryesorë në botë dhe me një transparencë të plotë do të nënshkruajë kontratat për t’i blerë vaksinat për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Do të funksionalizohen 30 qendra të vaksinimit në gjithë Republikën e Kosovës.

Qytetarët do të kenë qasje të lehtë, do të jenë publike të gjitha kriteret se kush do të vaksinohet së pari – siç janë personeli shëndetësor, personat në moshë të shtyrë dhe ata me sëmundje kronike.

Vaksinimi do të kryhet shpejt – duke filluar nga ata që kanë nevojë më së shumti, e jo nga ata që mbajnë privilegje.

Qeverisja e PDK-së do të ndjekë trendin e përcaktuar nga Bashkimi Europian, ku deri në fund të verës të vaksinohen 70% të popullatës sonë.

QENDRA PËR TESTIME NË TËRË KOSOVËN

Meqenëse vaksinimi merr disa muaj, është e rëndësishme që sistemi i testimeve t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve në kohë reale.

Plani i PDK-së parasheh që përveç se në Prishtinë, testimet të bëhen edhe në gjashtë qendra tjera rajonale, duke u dhënë kështu fund pritjeve të gjata.

Brenda tre muajsh, me qeverisjen e PDK-së, këto qendra do të funksionalizohen, duke e shumëfishuar numrin e testeve dhe duke e rritur sigurinë për qytetarët tanë.

PAKO MBËSHTETËSE PËR TË INFEKTUARIT ME COVID

Për shumë familje në Kosovë, që u përballën me virusin, pagesa për barnat dhe analizat ishte edhe një vështirësi shtesë.

Në mungesë të mjeteve financiare qytetarët nuk kanë arritur ta marrin terapinë e duhur dhe t’i bëjnë analizat e ndryshme, duke ua vështirësuar kështu gjendjen.

Plani ynë parasheh që çdo i infektuar me Covid, i regjistruar në IKSHPK, të marrë një ndihmë financiare deri në 250 Euro – për t’i bërë ekzaminimet dhe për t’i marrie ilaçet e duhura.

Një pako e tillë mbështetëse, përpos aspektit shëndetësor, do të lehtësojë edhe gjendjen e tyre ekonomike.

SHËNDETI MENDOR POST-COVID

Duke e ditur se Ankthi dhe Depresioni janë në pikat më të larta prej shumë dekadash, Partia Demokratike do të krijojë program të veçantë për trajtimin e tyre, sidomos te punëtorët shëndetësorë – të cilët kanë qenë tash e afro një vit në vijën e parë në luftë me Covid.

Atyre u duhet mbështetje dhe PDK do t’ua japë atë.

SHTYLLA E DYTË: MJEK PËR ÇDO FAMILJE

Pandemia ka treguar se sa e rëndësishme është që qytetari ta ketë një komunikim të drejtpërdrejtë në institucionet shëndetësore, kur ai ose familja e tij është përballur me probleme të shëndetit.

Sot, edhe pse qytetari e ka adresë të parë qendrën e mjekësisë familjare dhe ambulancat, prapë se prapë kjo nuk është përgjigje e mjaftueshme ndaj kërkesave të tij.

PDK do të investojë në kujdesin primar, duke fuqizuar qendrat e mjekësisë familjare, që ata të jenë me të vërtetë adresë ku qytetari merr përgjigjen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe kujdesin e duhur. Një adresë pranë qytetarit, afër vendbanimit të tij.

Plani ynë parasheh si prioritet implementimin e shpejtë të konceptit të mjekësisë familjare. Pra, që çdo familje në Kosovë ta ketë mjekun familjar, i cili ka përgjegjësinë ta përcjellë gjendjen shëndetësore të asaj familjeje, t’i japë këshilla dhe t’i ofrojë shërbime shëndetësore.

Më konkretisht, përmes zonimit, për çdo 2 mijë banorë në Kosovë do të jetë një ekip mjekësor, i përbërë nga një mjek dhe dy infermierë, të cilët ofrojnë kujdes individual dhe familjar.

Investimi në mjekun familjar, forcimin e lidhjes së tij direkte me qytetarin, është një ndër investimet me kthimin më të madh – në aspektin e shëndetit publik, ose atë ekonomik. Sepse, parandalohen sëmundjet, nuk mbingarkohen spitalet dhe përmirësohet shëndeti i përgjithshëm i popullatës.

Prandaj, PDK do të investojë fuqishëm në të gjitha Komunat e Kosovës që mjekësia familjare të jetë pranë qytetarit në çdo kohë.

SHTYLLA E TRETË: SIGURIME SHËNDETËSORE DHE BARNA FALAS

Partia Demokratike ka një plan konkret që në tre muajt e parë të qeverisjes të fillojë shërbimet e para të sigurimeve shëndetësore.

Për një kohë shumë të gjatë, qytetarët tanë kanë shpenzuar para nga xhepi i tyre për shërbime mjekësore dhe barna. Familjet janë të rënduara nga shpenzimet e larta çdo muaj.

Edhe Banka Botërore i ka dhënë një theks të veçantë faktit se një pjesë e madhe e këtyre shpenzimeve në Kosovë shkon për blerjen e barnave.

Prandaj, në planin tonë, një ndër shërbimet e para të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore do të jetë ofrimi i barnave falas për personat me sëmundje kronike.

Do të jetë një listë prej 580 forma të barnave, të cilat do të jepen gjithmonë falas.

Kjo nënkupton që secili qytetar që vuan nga sëmundjet kronike, siç janë tensioni i lartë, diabeti, sëmundjet e zemrës, e të tjera që klasifikohen brenda kësaj pakoje, do të jetë përfitues nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Ky proces do të jetë digjital. Receta do të përshkruhet në mënyrë elektronike dhe qytetari me letërnjoftim të Kosovës do të shkojë t’i marrë këto barna falas në cilëndo barnatore në Kosovë.

Kjo garanton ndaljen e abuzimeve me barna, transparencë dhe shërbime të shpejta.

SHTYLLA E KATËRT: SISTEM SHËNDETËSOR MODERN

PDK ka plan investues për QKUK-në dhe për të gjitha Spitalet e Përgjithshme – si ai në Prizren, Mitrovicë, Gjilan, e të tjerë, me qellim të modernizimit të infrastrukturës dhe krijimit të kushteve më të mira për pacientët, por edhe për personelin shëndetësor.

Ky plan do të jetë në vlerën prej 150 milionë eurosh, për katër vjetët e ardhshme, dhe do të krijojë efekte të dukshme dhe reale.

Plani i Rimëkëmbjes për Shëndetësi parasheh edhe blerjen e pajisjeve në vlerë prej 50 milionë eurosh, për QKUK-në dhe për Spitalet e Përgjithshme, për ta rritur kualitetin e shërbimeve mjekësore dhe për t’i shtuar kapacitetet diagnostike dhe ato klinike.

Plani i PDK adreson edhe një kërkesë të kahmotshme të Prishtinës.

Si Ministër i Shëndetësisë, e kam lënë të gatshëm projektin e fizibilitetit që parasheh ndërtimin e një spitali tejet modern për Prishtinën.

Për fat të keq, as edhe një hap i vetëm nuk është ndërmarrë nga të dy qeveritë e fundit.

Plani i Rimëkëmbjes për Shëndetësi i jep prioritet të veçantë Spitalit të Prishtinës dhe unë ju garantoj se në 6 muajt e parë të qeverisjes sonë do të fillojnë punimet në ndërtimin e këtij spitali.

Spitali i Prishtinës do të ketë 200 shtretër, 4 salla të operimit, 54 dhoma të intervenimit dhe mbi 200 veta personel shëndetësor.

Plani për Rimëkëmbje në Shëndetësi nuk do të lërë prapa as qytetarin dhe as profesionistin shëndetësor.

Me programin tonë, personelit shëndetësor do t’u rriten pagat.

Do të kemi një përshkallëzim, ku paga e mjekut specialist do të jetë deri në 1500 euro. Infermierët, ndërkaq, do të kenë një pagë jo më të ulët se 650 euro.

Modernizimi i sistemit do të kompletohet me digjitalizimin e shërbimeve, që nga niveli komunal deri të niveli terciar, do të përfshijë kartelën e pacientit dhe të gjitha informatat e tjera të nevojshme.

Të dashur qytetarë,

Ky plan i rimëkëmbjes për shëndetësinë është një përgjigje e kërkesave të shumta ndaj qytetarëve tanë dhe personelit shëndetësor.

Ky plan, të cilin do ta implementojmë së bashku me Kryeministrin Hoxhaj, do të përmirësojë shëndetin e qytetarëve tanë, do të kursejë paratë e tyre, dhe do ta rimëkëmbë shëndetësinë tonë.

Ne kërkojmë mbështetjen tuaj.

Vetëm askush nuk do ta bëjë.

Por, së bashku, ne do të mund ta rimëkëmbim shëndetësinë, do të mund ta rimëkëmbim Kosovën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme