Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka folur për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur. Ky institucion, tha Hoxhaj, do ta shndërrojë Kosovën nga konsumues, në eksportues të sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Hoxhaj tha se Forcat e Armatosura të Kosovës, si institucion, si filozofi, si praktikë dhe si pajisje janë ndërtuar nga NATO-ja. Theksoi se FAK do ta ketë mbështetjen e shteteve kyqe anëtare të NATO-së në procesin e zhvillimit dhe kompletimit të mëtutjeshëm të këtij institucioni.
Hoxhaj theksoi se pas ndërmarrjes së hapit për transformimin e FSK-së, Kosova do të punojë për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe (PFP) në kuadër të NATO-së.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj deklaroi se Forcat e Armatosura të Kosovës do ta kenë një histori tipike dhe realitet të vecantë në Ballkan.
“Ne duam të bëhemi pjesë e NATO-së, por në të njëjtën kohë, duam që KFOR’i të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë dhe ta kemi një bashkëpunim të ngushtë”, ka thënë Hoxhaj në një intervisë për Vision Plus në Tiranë.