Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë sot në takimin përmbyllës të Projektit të dytë të binjakëzimit “Përkrahja e mëtejme e arsimit të sigurisë publike në Kosovë”, të mbështetur nga Bashkimi Evropian, që u mbajt në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Hoxhaj tha se institucionet e sigurisë, veçmas policia dhe doganat janë prej sukseseve më të mëdha të shtetit të ri të Kosovës. Theksoi se sukseset në këtë sektor nuk do të mund të arriheshin pa mbështetjen e shteteve mike që përkrahën ngritjen profesionale dhe zhvillimin e kapaciteteve për luftimin e kriminalitetit, përgatitjen e pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë e deri tek themelimi dhe forcimi i institucioneve përkatëse.
“Jam këtu për të falënderuar në emër të Qeverisë së Kosovës dhe të qytetarëve secilin shtet veç e veç, si dhe Bashkimin Evropian. Ne asnjëherë nuk do të ndalemi së forcuari kapacitetet; për të rritur profesionalizmin në luftimin e krimit dhe korrupsionit”, deklaroi zëvendëskryeministri Hoxhaj.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se një nga përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës është forcimi i sigurisë së brendshme.
“Në një botë të ndryshimeve është jetike të mbrohet pavarësia dhe siguria e Kosovës. Për një shtet të ri si ne, është me rëndësi të jetë e qartë se siguria, mbrojtja dhe politika e jashtme nuk duhet të jenë të veçuara nga njëra-tjetra”, tha Zëvendëskryeministri.
Më tutje, Hoxhaj deklaroi se institucionet e sigurisë sot reflektojnë edhe një të arritur tjetër, atë çfarë është Kosova në vitin 2019, karakterin shumë-etnik dhe pjesëmarrjen e madhe të grave pothuajse në të gjitha strukturat, duke përfshirë edhe ato të larta drejtuese e menaxhmentit.