Hoxhaj me homologun e tij italian, flasin për kapitull i ri ekonomik dhe politik

Prishtinë | 29 Gus 2016 | 18:40 | Nga

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka nisur vizitën zyrtare në Romë ku është takuar me homologun italian, Paolo Gentiloni, me të cilin ka bashkëbiseduar për zhvillimet më të fundit dhe marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve.

Në një njoftim të MJ’së thuhet se Hoxhaj dhe Gentiloni janë pajtuar për një kapitull të ri bashkëpunimi ekonomik dhe politik, që do të nisë së konkretizuari shumë shpejt me një forum të madh ekonomik mes dy vendeve që pritet të mbahet në Itali.

Po ashtu, tregohet se aty janë diskutuar edhe një sërë marrëveshjesh bilaterale që janë në proces e sipër të negocimit.

“Ishte një takim shumë miqësor dhe përmbajtësor ku ngritëm dhe u pajtuam për shumë fusha që janë me interes për të bashkëpunuar mes Kosovës dhe Italisë. Dhe jam i kënaqur të flasë për një kapitull të ri të marrëdhënieve që nuk do të ndalet vetëm në konsultimet vjetore politike por edhe bashkëpunimet konkrete ekonomike, tregtare dhe kulturore. U pajtuam që në muajt e parë të vitit të ardhshëm të organizojmë një forum të madh ekonomik mes vendeve tona që do të mbahet në Itali. Një mundësi e madhe për të prezentuar Kosovën para intevstitorëve italianë” ka thënë Hoxhaj.

Një çështje tjetër diskutimi ishte koordinimi më i ngushtë për projektet që do të derivojnë dhe pritet të mbështeten nga Procesi i Berlinit pasi takimi i radhës mbahet vitin e ardhshëm në Itali.

Kryediplomati kosovar ka kërkuar mbështetjen e Italisë për liberalizimin e vizave për kosovarët disa ditë para votimit në Parlamentin Evropian, si dhe për një sërë organizatash ndërkombëtare ku Kosova synon anëtarësimin.

Hoxhaj i ka shprehur ngushëllime homologut të tij për tragjedinë nga tërmeti që goditi Italinë ku mbetën qindra të vdekur.

Të ngjashme