Hoxhaj komenton vizitën e Scholzit në Serbi: Fazë e re e ndërlikimit të marrëdhënies së Kosovës me partnerët evropianë

Prishtinë | 19 Kor 2024 | 10:38 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, për vizitën e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Serbi, ka thënë se Kosova ka hyrë në një fazë të ndërlikimit të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtar, derisa Serbia është bërë interes strategjik i BE-së.

“Serbia gjatë ka përdorur marrëdhëniet strategjike me Rusinë dhe Kinën si mekanizëm gjeopolitik në marrëdhëniet e saj me BE-në. Nga sot, ajo do të përdorë një instrument të brendshëm: industria evropiane e makinave do të ketë akses eksklusiv në depozitat e litiumit të Serbisë dhe litiumi është instrument i fuqisë së saj ndaj BE-së. Llogaritet se Serbia mbi 20% të nevojave të BE-së do t’i përmbushë me këtë mineral të rëndësishëm për prodhimin e baterive.”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Deputeti i PDK-së, ka thënë se në garë për prodhimin e baterive, Gjermania është në mesin e fuqive në tregun botëror, prandaj, sipas tij, vizita e sotme e Kancelarit Olaf Scholz tregon që Serbia është bërë interes strategjik i vendit të tij dhe BE-së!

“Askush nuk e di përmbajtjen e një deklarate përkatëse rreth qëllimeve të bashkëpunimit që sot do të nënshkruhet, por një gjë dihet, që kjo është fazë e re e ndërlikimit të marrëdhënies së Kosovës me partnerët evropianët.”, ka shkruar ai.

“Kushdo që mendon ndryshe e ka gabim dhe do të vazhdojë ta ketë gabim! Sepse nuk është situatë e njëjtë sikurse ishte deri sot! Nuk pres ndonjë mendim strategjik nga Qeveria se si të veprohet në këtë situatë dhe si të balancohet pozita e vështirë e Kosovës, përveç të dalin me një reagim mendjelehtë se sikurse Rusia e ka shantazhuar BE-në me gaz dhe tani do ta bëjë Serbia me litium, që është vetëm një titull lajmi, por jo veprim strategik.”, ka shkruar Hoxhaj.

Të ngjashme