Hoxhaj: Kosova e interesuar të përfitojë nga ekspertiza e Këshillit të Evropës

Prishtinë | 20 Kor 2016 | 13:28 | Nga

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur në takim shefen e re të Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabelle Gallucci.

Hoxhaj ka vlerësuar lartë qasjen konstruktive që zyra e KE-së në Prishtinë ka luajtur në realizimin e projekteve dhe asistencën e rëndësishme që i ka ofruar Kosovës.

Me këtë rast, ministri Hoxhaj është shprehur se Kosova është e interesuar të zhvillojë marrëdhëniet dhe të përfitojë nga ekspertiza e Këshillit të Evropës me qëllim përmirësimin e qeverisjes dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Ministri Hoxhaj dhe Gallucci çështje me prioritet i kanë vlerësuar projektet e KE-së me theks në programin më të fundit të njohur si, “Lehtësimi Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.

Ky program mundëson që Kosova të përfitojë në ngritjen e kapaciteteve në fushën e sundimit të ligjit, rritjen e efikasitetit të gjykatave dhe përmirësimin e gjendjes së burgjeve në kuadër të  mekanizmit monitorues për parandalimin e torturës si dhe rritjen e cilësisë së edukimit dhe përfshirjen e komunitetit RAE në edukim.

Të ngjashme