Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në emër të qeverisë ka folur në Kuvend për Raportin e Progresit.
Ai e ka konsideruar këtë raport objektiv, real dhe të saktë të gjendjes aktuale në Kosovë.
“Raporti i Komisionit Evropian që është prezantuar më 17 prill 2018 është vlerësim edhe objektiv, edhe real, edhe i saktë i gjendjes në të cilën është Kosova ku në analizë ky raport përmend edhe progres që ka pasë vendi, edhe ngecje, e sfida në fusha të caktuara. Është vlerësim i punës i dy qeverive i dy mandateve të Kuvendit të Kosovës”.
Sipas Hoxhajt, ky raport e konfirmon lajmin e shumëpritur të qytetarëve sa i takon vlerësimit për procesin e liberalizimit të vizave edhe pse liberalizmi i vizave nuk është punë kryesore e raportit, sepse liberalizimi i vizave dhe integrimi i Kosovës në BE janë dy binarë të ndryshëm.
“Kosova ka një vlerësim pozitiv sa i takon liberalizimit të vizave. Pas dy javëve do vijnë një komision nga BE për të shkruar një raport shtesë për përmbushjen e kritereve për liberalizim”.
“Raporti përmend fusha ku është shënuar progres dhe ngecje, progresi më i madh është shënuar në fushën në kritere ekonomike dhe raportet me rajonin dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Pakoja e ligjeve që ka nxjerrë ministri Tahiri dhe që Kuvendi e ka miratuar, Kosovën do ta nxjerrë vitin e ardhshëm me vlerësime pozitive|.
Enver Hoxhaj theksoi se duhet të zvogëlohet numri i ministrive, raporton EO.
“Në të ardhmen ta bëjmë një ligj për përbërje të qeverisë që të jetë më e vogël e jo gjithmonë të shkojmë në rritje e sipër. Më shqetëson mënyra e organizimit të seancës dhe numri i deputetëve. Na duhet një konsensus nacional në Kuvend për agjendën evropiane, një plan i veprimit për shpejtësinë tonë për rrugën drejt në BE”.
“Duhet të ulemi të gjithë së bashku të gjejmë një rrugë se cila do të jetë qasja jonë afatgjatë në raport me raportin e Komisionit Evropian”.