Kosova i siguruar votat e nevojshme për pranim në organizatat ndërkombëtare, UNESCO dhe INTERPOL. Ndërkaq, një shtet tashmë ka përmbyllur të gjitha procedurat e saj për njohjen e Republikës së Kosovës. Këtë e ka konfirmuar ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj
Ministri Hoxhaj ka thënë se Kosovës do t’i vijë shumë shpejt edhe njohja e 115-ë ndërkombëtare.
Sipas tij, tashmë janë përmbyllur të gjitha procedurat dhe pritet vetëm zyrtarizimi i njohjes, duke mos dashur që të ngutet dhe ta zbulojë emrin se për cilin shtet bëhet fjalë.
Në këtë intervistë ministri në detyrë ka konfirmuar po ashtu se Kosova tashmë ka siguruar edhe votat e nevojshme për pranim në organizatat ndërkombëtare si në UNESCO dhe në INTERPOL.
“Unë kam pasur vitin e kaluar shumë vizita nëpër botë vitin e kaluar dhe natyrisht që në vizitat e tilla ne kemi marrë konfirmime se kush mund ta votojë Kosovën qoftë në UNESCO, qoftë në INTERPOL. Unë besoj që Kosova i ka këto vota kësaj here”, ka thënë Hoxhaj, në një intervistë për Gazetën “Zëri”.
Megjithatë para se kjo të ndodhë, Hoxhaj ka përmendur edhe disa nga detyrat e shtëpisë që Kosova duhet t’i përfundojë, siç janë: miratimi në Kuvendin e Kosovës ligji për liritë fetare, trashëgiminë, etj.
Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, ai ka thënë se tashmë ky proces po hyn në fazën përfundimtare të tij.
Hoxhaj ka përkrahur idenë e riformatimit të dialogut në nivel presidencial, duke thënë se presidenti ka mandat për një gjë të tillë.
Në këtë kontekst, ai ka shtuar se Serbia do të detyrohet që ta njohë Kosovën para anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.