Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK’së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se pasi partia e tij të marrë përgjigje në 10 pyetjet të cilat sot ua ka parashtruar Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, partia e tij do të tregojë pozicionin për Presidentin.
Hoxhaj ka shkruar në Facebook se këto përgjigje janë thelbësore për të ardhmen e vendit.
“Kur të marrim një përgjigje për këto çështje që janë thelbësore për të ardhmen e Republikës së Kosovës, PDK-ja do të marrë qëndrim në organet e saj partiake në lidhje me pozicionin që do të ketë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj.
Statusi i plotë i Hoxhajt në Facebook:
Sot, Partia Demokratike e Kosovës është treguar konstruktive dhe parimore, në takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe znj. Vjosa Osmani. Është jetike për shtetin që të kemi stabilitet politik, i cili që nga viti 2014 ishte minuar në baza ditore nga Kurti dhe disa parti tjera.
Në këtë takim, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të PDK-së, Uran Ismailin, kemi shkuar me një listë prej 10 pikash për të cilat kemi kërkuar që Kurti ta sqarojë qëndrimin e tij. Kemi shkuar me parime e qëndrime të qarta për Kurtin dhe Osmanin, për kriteret që duhet t’i përmbushë një president, për politikën e jashtme, dialogun, Asociacionin e Komunave Serbe, Demarkacionin me Malin e Zi, Marrëveshjen e Washingtonit, Tregun e Përbashkët Rajonal, pezullimin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe njohjet si dhe kundërshtimin e Planit të Ahtisaarit nga ana e Vetëvendosjes, reciprociteti me Serbinë, marrëveshjet e Brukselit dhe fusnota.
Kur të marrim një përgjigje për këto çështje që janë thelbësore për të ardhmen e Republikës së Kosovës, PDK-ja do të marrë qëndrim në organet e saj partiake në lidhje me pozicionin që do të ketë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
PDK-ja gjithmonë ka luajtur rol konstruktiv në institucionet e Kosovës dhe ne do të luajmë rolin tonë opozitar karshi qeverisë së re.
Ndërkohë, këto janë 10 pyetjet që Hoxhaj ua ka parashtruar sot Kurtit dhe Osmanit:
- Sa herë që ka pasur zgjedhje të Qeverisë ose të Presidentit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, institucionet janë sulmuar dhe dhuna është ushtruar ndaj shumicës në Kuvend, në seancë duke hedhur gaz ose duke u sulmuar institucioni i Kuvendit. Unë kam kërkuar ta di nëse z. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetvendosje do të heqin dorë nga dhuna politike si mjet politik.
- Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke. A do ta mbajnë ata premtimin e dhënë për qytetarët e Kosovës se nuk do të fillojnë dialog me Serbinë pa një kërkimfalje zyrtare nga Serbia dhe kthimin e të gjithë personave të zhdukur?
- Kam kërkuar të di qëndrimin e tyre në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe. A do ta sjellin në Parlament anulimin e këtij projekti dhe të marrëveshjeve të Brukselit?
- Ata i kam pyetur edhe lidhur me pozicionimin e tyre në lidhje me demarkimin e kufirit me Malin e Zi? Dhe nëse ata, në përputhje me shkëmbimin e letrave midis Presidentëve të Kosovës dhe të Malit të Zi, a do ta rishikojnë kufirin, posaçërisht për pjesën e Zhlebit dhe të Çakorrit, ashtu siç kishin premtuar. Ata duhet të dalin edhe me një afat kohor për jetësimin e këtij premtimi.
- Nuk mora përgjigje po ashtu nëse ata do ta respektojnë dhe do ta zbatojnë Marrëveshjen e Uashingtonit?
- I kam pyetur po ashtu nëse do të pranojnë të hynë në Tregun e Përbashkët Rajonal (Mini-Shengen) pa njohjen e plotë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina?
- Gjatë qeverive Kurti 1 dhe Hoti, sovraniteti i Republikës së Kosovës u pezullua kur këto qeveri u tërhoqën nga kërkimi i anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe njohje të Republikës së Kosovës. Kërkova të di nëse Kosova do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe se a do të kërkojnë njohje nga të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara duke i dhënë fund pezullimit të sovranitetit?
- Trashëgimia juaj politike që nga viti 2007 ka qenë ta kundërshtoni Planin Ahtisaari, i cili është në thelb karakteri kushtetues i Kosovës. Kam kërkuar të di nga z. Kurti nëse ka hequr dorë nga ky qëllim?
- Një premtim ka qenë edhe reciprociteti. Kam kërkuar të di nga ta nëse do të rikthehet reciprociteti me Serbinë dhe a do të jetë ashtu si gjatë qeverisë Kurti 1 reciprocitet administrativ apo do të zbatohet reciprocitet i plotë politik, ekonomik dhe tregtar?
- Z. Kurti dhe znj. Osmani kanë kundërshtuar marrëveshjen e Brukselit në lidhje me fusnotën? Kam kërkuar një zotim nga ta nëse do ta anulojnë këtë marrëveshje dhe a do të tërhiqen nga fusnota, siç kanë premtuar gjatë gjithë viteve.