Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, ka thënë se për të pasur garë të mirëfillt për kryeministër në këto zgjedhje, duhet të ketë debate midis kandidatëve dhe sërish e ftoi Albin Kurtin për debat.
Hoxhaj, ka thënë se Albin Kurti nuk ka program të qeverisjes andaj po i shmanget debatit me të duke thënë se Kurti mendon që emri dhe mbiemri i tij janë program.
“Si një njeri që jam shkollu në Perëndim, që kam ndjekë debate nëpër të gjithë botën në këto 30 vitet e fundit, kandidatët për kryeministra dalin dhe debatojnë për programet e tyre. Unë jam i interesuar të bisedoj me z.Kurti për politikë të jashtme, se cka do të bëjë me dialogun me Serbinë, cilat janë pikëpakmet e tij, por ai po i ikë debatit, sepse nuk ka program, sepse ai mendon që vetëm emri dhe mbiemri i tij është programi. S’ka program, s’ka vizion dhe shpesh herë ka qenë në anën e kundërt të historisë”, ka thënë Hoxhaj në Rubikon.
Në anën tjetër, ai tha se PDK është e vendosur që pagat dhe pensionet do të rriten nga 30 deri në 40 përqind.
“Kompanitë private do të subvencionohen, paga minimale në sektorin privat do të jetë 300 euro. Pa PDK-në nuk ka vendimmarje në Kosovë.”, ka thënë Hoxhaj.
Ai, tutje ka thënë se Kurti u dorëzua kur iu kërkua të sillet si partner i mirëfilltë me ndërkombëtarët.
“Kurti u dorëzua kur iu kërkua të sillet si partner i mirëfilltë me ndërkombëtarët. Kurti ka frikë ta udhëheqë shtetin”, ka thënë Hoxhaj.