Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, po merr pjesë në Forumin e Dubrovnikut, ngjarje kjo e përvitshme që ka për synim të mbledh personalitete të njohura të politikës, ekonomisë nga shtete të ndryshme të rajonit dhe botës.
Në hapjen e Forumit nga Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar u nënvizua rëndësia dhe nevoja e fuqizimit të bashkëpunimit sa më të madh në BE, veçmas ndërmjet jugut dhe veriut përball sfidave gjeopolitke të reja që po përjeton bota.
Ministri Hoxhaj do të flasë të premten në panelin e përbashkët të udhëhequr nga homologu kroat, Miro Kovac, dhe do të bashkëbisedojë me ministrat e jashtëm dhe udhëheqësit e delegacioneve nga Rumania, Greqia, Bosnja, Hungaria, Polonia, Turqia e të tjerë.
“Një mundësi për të riafirmuar qëndrimet tona se Evropa ka nevojë për më shumë unitet dhe vendosmëri në përballimin e sfidave të reja të shekullit XXI. Ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve të reja, Kosova e sheh rajonin e integruar plotësisht në Bashkimin Evropian si domosdoshmëri”, ka thënë Hoxhaj.
Po ashtu, Ministri Hoxhaj do të zhvilloj edhe takime bilaterale me shumë homologë të tij dhe udhëheqës të delegacioneve nga shtetet evropiane që nuk e kanë njohur Kosovën.
Hoxhaj do ta takojë edhe ndihmës asistentin e Sekretarit të Shtetit amerikan për Evropë, Hoyt Lee.