Në ditën e tretë të punimeve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që po mbahet në New York, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, po vazhdon agjendën e ngjeshur të takimeve të shumta bilaterale dhe multilaterale.
Gjatë ditës së sotme është mbajtur takimi i RCC – Këshilli Rajonal për Bashkëpunim, me ministrat e punëve të jashtme të vendeve të rajonit, ku Republika e Kosovës është anëtare.
Në fjalën e tij, Ministri Hoxhaj, ka thënë se shumë raporte politike mes vendeve të rajonit janë të ndërlidhura edhe me aspekte ekonomike dhe infrastrukturore të bashkëpunimit.
“Ballkani dhe BE jetojnë në një kohë të pasigurtë dhe përtej reformave politike, ne duhet të kemi më shumë projekte në fushën e infrastukturës rrugore, të mordernizimit të shoqërive, të rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës! Ne duhet të dimë se as Kosova dhe as rajoni nuk mund të ketë rritje të shpejtë ekonomike, sepse tregjet janë të vogla, shoqëritë janë të fragementarizuara dhe vendet janë në zhvillim e sipër. Ndër projektet më të rëndësishme për infrastrukturën rrugore të Ballkanit qendror është ndërtimi i rrugës Prishtinë-Nish, cili ka një dimension politik në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore Kosovë-Serbi” ka thënë Hoxhaj.
Më tej, ai ka shtuar se “nuk mund ta konsiderojmë një regjion të integruar në aspektin energjetik nëse nuk zbatohet marrëveshja e energjisë në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk është zbatuar fare në pesë vitet fundi”.
Hoxhaj ka zhvilluar edhe një sërë takimesh të tjera bilaterale, sipas një njoftimi nga MPJ.