Nisma e “Ballkanit të Hapur”, sipas nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës në veçanti dhe Ballkanit në përgjithësi.
“E shoh si një mundësi që të ketë një lëvizje të re të bashkëpunimit, ndërsa në raportet Kosovë-Shqipëri, nëse BE-ja nuk zgjerohet ndaj nesh, mendoj se është e drejta jonë legjitime që ne të zgjerohemi ndaj Shqipërisë dhe Shqipëria të zgjerohet ndaj Kosovës në çdo fushë të bashkëpunimit”, thotë Enver Hoxhaj, në një intervistë për “Top Story”.
Sipas tij, faktori shqiptar në Ballkan, është i ngjashëm me faktorin gjerman në Europë. Shqiptarët kanë tani më shumë ndikim se kurrë, shton Hoxhaj dhe ky fakt duhet shfrytëzuar.
“Mendoj që gjeografinë shqiptarët duhet ta mendojnë drejt. Demografinë shqiptarët duhet ta interpretojnë drejt faktin që janë dy shtete shqiptare në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova dhë që shqiptarët në Mqedoninë e Veriut nuk kanë pasur asnjëherë nuk kanë pasur kaq ndikim sa kohët e fundit apo me Dritan Abazoviç në Mal të Zi.
Mendoj që këtë gjeografi, këtë ekonomi, këtë kulturë emocionale, duhet ta interpretojmë me një formë të bashkëpunimit, se gjërat nuk mund të rrinë në vend. Unë e shoh faktorin shqiptar në Ballkan, të ngjashëm me faktorin gjerman në Europë, për sa i përket rolit.
Mendoj që gjatë 10 viteve të fundit në Shqipëri ka ndodhur një shpërthim ekonomik, një kthesë ekonomike. Jam i mendimit që faktori shqiptar duhet të jetë në një dimension komplet të ri të këtij bashkëpunimi. A mund të jetë Ballkani i Hapur kornizë? A duhet të shërbejnë dhe mbledhjet në mes të qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, qeverisë së Maqedonisë së Veriut apo Malit të Zi? Mendoj se po”./m.j