Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj në një konferencë për shtyp pas kthimit nga Nju Jorku ka thënë të ketë zhvilluar 76 takime gjatë pjesëmarrjes në AP të OKB-së.
Duke folur për agjendën e lobimit, ministri Hoxhaj ka paralajmëruar edhe tri njohje të reja deri në fund të vitit.
Po ashtu sipas tij, nënshkrimi i marrëdhënieve diplomatike me shtetet që e kanë njohur Kosovën është rritur dhe presin në dy muajt e ardhshëm të kenë nënshkrime të reja.
Ministri Hoxhaj, ka theksuar se Qeveria e Kosovës po merret intensivisht me rastin e arrestimit të Nehat Thaçit, drejtor i Policisë Rajonale në Mitrovicë, nga ana e autoriteteve të Serbisë.
Ai ka thënë se pret që shumë shpejt që Nehat Thaçi, të lirohet pas arrestimit nga policia serbe në pikën kufitare të Dheut të Bardhë.
Hoxhaj ka thënë se ministria që ai drejton është marrë intensivisht me rastin e arrestimit të Thaçit.
“Kemi dhënë maksimumin nga ana jonë. Natyrisht që rastet e tilla janë të papranueshme për ne si Qeveri e Kosovës, ku shpeshherë qytetarët e Republikës së Kosovës pa asnjë të drejtë ndalen në kufij të shteteve fqinje”, ka thënë Hoxhaj.