Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj pas vizitës zyrtare në SHBA, ku ka takuar dhjetëra përfaqësues të vendeve që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka udhëtuar drejt Francës, ku të hënën do të marr pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Paris.
Hoxhaj me këtë rast do të takohet me homologët nga Ballkani dhe vendet evropiane me të cilët do të diskutojnë për koordinimin e politikës së jashtme për sa i përket avancimit të projekteve të përbashkëta të shteteve pjesëmarrëse të këtij samiti.
Ministri i Punëve të Jashtme është pjesë e delegacionit të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe disa ministrave të tjerë të sektorëve kryesor që pritet të trajtohen në Samit.
Në këtë samit do të nënshkruhen disa marrëveshje ndërmjet shteteve, si dhe do të rishikohet edhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura muaj më parë në Samitin e Vjenës dhe ai i Berlinit.