Hoxhaj për mospjesëmarrjen e Kurtit në takimin në Tiranë: Sjellje totalisht e papërgjegjshme

Prishtinë | 19 Kor 2023 | 08:32 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka komentuar mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në takimin në kuadër të Procesit të Berlinit në Tiranë.

Hoxhaj tha se Kurti po tregon se nuk ka qenë aq i dhënë për procesin e Berlinit ashtu siç ishte deklaruar më herët.

“Z.Kurti është deklaruar për një kohë të gjatë që është kundër Ballkanit të Hapur dhe se nëse ka një proces të cilit i beson është procesi i Berlinit. Mbajtja e takimit parapërgatitor në Tiranë për procesin e Berlinit, Samitin e Berlinit që mbahet në tetor dhe mospjesëmarrja e vet z.Kurti që tërë kohën ka thënë se jemi të përkushtuar për procesin e Berlinit se jemi trajtuar të barabartë, tregon që ai në politikën e jashtme nuk ka ndonjë rezon shtetëror, por ka më shumë marrëdhënie personale”, tha Hoxhaj tek “dPt te Fidani”.

Hoxhaj ka thënë se Kurti e ka personale me Ramën dhe kjo sipas tij është arsyeja, pse kryeministri nuk e priti Ramën në Prishtinë e as nuk i shkoi në takim në Tiranë.

“Më shumë për shkak të inatit personal të një sërë pretekstesh, përpjekjesh të komunikimit dhe të keq-komunikimit me Edi Ramën, në fund vendos diçka që e ka me mandat kushtetues se është kryeministër i Kosovës dhe t përfaqësoj vendin, i jep më shumë rëndësi inatit të tij personal. Mendoj që është sjellje totalisht e papërgjegjshme, dhe është dezertim prej politikës rajonale, dhe nëse z.Kurti në opozitë ka folur për bashkim kombëtar, të bëjë edhe mos mikpritjen që i bëri Edi Ramës në Prishtinë dhe me bojkotin në Tiranë që në fakt çka do që ka thënë në të kaluarën ka qenë një mashtrim i madh”, ka thënë ai.

Të ngjashme