Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj në 22 vjetorin e masakrës së Krushës së Madhe ka përkujtuar 243 viktimat e kësaj masakre.
Përmes një postimi ne Facebook Hoxhaj është shprehur se kjo masakër ishte orkestrim i planifikuar mirë të një pushteti gjenocidal, që si qëllim në vetëvete kishte shfarosjen e një populli vetëm pse ishte shqiptar.
Postimi i plotë i Hoxhajt:
“Neve na lanë me jetu me flakë”. – kishte thënë njëra nga gratë e Krushës të Madhe, familjarët e të cilës forcat kriminale serbe i kishin masakruar në aksionin famëkeq me 25, 26 dhe 27 mars. Kjo tregon për një orkestrim të planifikuar mirë të një pushteti gjenocidal, që si qëllim në vetëvete kishte shfarosjen e një populli vetëm pse ishte shqiptar. 22 vjet pas kësaj masakre me 243 viktima, që tronditi jo vetëm Kosovën por të gjithë njerëzimin, kriminelët serbë vazhdojnë të enden në liri.
Por, ajo që nga një dorë gjakatare ishte menduar të jetë si goditja përfundimtare mbi një popull që kërkonte lirinë, nga gratë e Krushës sot u shndërrua në forcën që po inspiron një gjeneratë të tërë. Sot dhe përgjithmonë, lavdi martirëve të kombit, drejtësi për viktimat – e respekt nënave dhe motrave tona Krushiane.