Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në hapjen e pikës së re të kufirit në Stanqiq-Bellanoc, ka thënë se do t’i përafrojë shqiptarët nga të dyja anët.
Enver Hoxhaj, përmes një shkrimi bë Facebook, ku ka publikuar edhe fotografi nga hapja e kësaj pike, ka thënë se hapja e kësaj pike kufitare të përbashkët ishte ëndërr e qytetarëve të këtyre komunave kufitare, e cila tani do të mundësojë një lëvizje më të lehtë të banorëve duke e shkurtuar dukshëm rrugën që bëjnë banorët e këtyre zonave dhe do t’u sigurojë atyre mirëqenie e prosperitet ekonomik.
Ky është shkrimi i plotë i Hoxhajt bë Facebook:
Jam i lumtur që, sot, më në fund, pas shumë vitesh ngecje, u hap pika kufitare ndërmjet Kosovës e Maqedonisë së Veriut, në Stanqiq-Bellanoc.
Kjo pikë kufitare do t’i përafrojë edhe më shumë shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe do t’i fuqizojë edhe më shumë marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, jam i bindur se do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të të dy zonave kufitare të dy komunave, Gjilanit dhe Likovës.
Hapja e kësaj pike kufitare të përbashkët ishte ëndërr e qytetarëve të këtyre komunave kufitare, e cila tani do të mundësojë një lëvizje më të lehtë të banorëve duke e shkurtuar dukshëm rrugën që bëjnë banorët e këtyre zonave dhe do t’u sigurojë atyre mirëqenie e prosperitet ekonomik.