Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në mbledhjen e Qeverisë, ka treguar për angazhimet pas arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut, Nehat Thaçi.
“Ne jemi marrë intensivisht dje me rastin e arrestimit të drejtorit të Policisë të Mitrovicës në jug, z. Nehat Thaçi. Jemi marrë edhe në orët e hershme të mëngjesit. Zakonisht në kohë të tilla nuk bëjmë deklarata për opinion publik, sepse nuk është në natyrën e Ministrisë së Punëve të Jashtme paralelisht me angazhimin diplomatik të bëhen deklarata në proces. Kryeministër dua t’ju siguroj edhe juve edhe qytetarët se e kemi dhënë maksimumin nga ana jonë”.
“Natyrisht që rastet e tilla janë të papranueshme për ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, sikurse janë të papranueshme edhe rritja e numrit të kërkesave nga ana e Serbisë në kuadër të INTERPOL-it ku shpeshherë qytetarët e Republikës së Kosovës pa asnjë të drejtë ndalen në kufij të shteteve fqinje. Ne si Ministri e Jashtme deri më tash kemi menaxhuar 4-5 raste, ku i falënderojmë shtetet fqinje të Ballkanit të cilat kanë treguar mirëkuptim. Desha vetëm t’ju informoj se dje jemi marrë në mënyrë intensive. Dje kemi biseduar 2-3 herë me ministrin Hyseni dhe pa e mbi interpretuar këtë situatë do të japim maksimumin që të bëjmë një zgjidhje të shpejtë”, tha ministri Hoxhaj.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, po ashtu bëri të ditur se gjatë gjithë së enjte kanë koordinuar përpjekjet që në kanale diplomatike, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme, të interesohen dhe të bëjnë që Komandanti i Policisë në Mitrovicë, të lirohet sa më shpejt.
“Në bazë të informacioneve që kemi, nuk ka mbështetje ligjore për mbajtjen e tij në arrest. Vërtetë ne kemi qenë në presion të madh të opinionit që të deklarohemi, por ndërkohë që bëheshin të gjitha përpjekjet dhe po vazhdojnë të bëhen për lirimin e tij, është e pavend që të bëjmë deklarime publike që mund t’i vështirësojnë të gjitha përpjekjet për lirimin sa më shpejt të z. Thaçi. Natyrisht që është e papranueshme që shpeshherë në listat e INTERPOL-it figurojnë njerëz, qytetarë të Kosovës që kanë marrë pjesë në luftë në çfarëdo mënyre. Ky është një proces afatgjatë i cili duhet të zgjidhet qoftë përmes anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, qoftë përmes ndërtimit të marrëdhënieve bilaterale midis shteteve”, tha ministri Hyseni.