Ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, ka thënë se sot në takimin në Bruksel, askush nuk e di nëse delegacioni i Kosovës ka ndonjë platformë në letër.
Ai përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka thënë se politika e jashtme s’guxon të reduktohet në dialog dhe as dialogu vetëm në vendimin për targat.
Ky është statusi i plotë i Enver Hoxhajt:
Sot mbahet takimi në Bruksel dhe askush s’e di nëse delegacioni i Kosovës ka ndonjë platformë në letër!
Vendimi për targa është një veprim i drejtë, por është një vendim taktik që nuk mbështetet me një qasje strategjike të plotë sa i takon dialogut.
Së pari, me këtë veprim a do të zbatojë Qeveria të gjitha marrëveshjet e nënshkruara apo vetëm këtë të lëvizjes së lirë? Rezultatet e dialogut nuk janë një lloj tryeze suedeze ku përzgjedhja për zbatim varet nga shijet indivduale dhe inspirimi i çastit.
Së dyti, Kosova mund të marrë mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë për situatën në veri të vendit dhe të përfitojë nga dialogu nëse e prezanton një platformë për dialog, ku kryetema është njohja e ndërsjellë si marrëveshje përfundimtare! Jo më dialog teknik, por vetëm marrëveshje finale në mes të dy shteteve. Këtu varet se a ka Qeveria vizion, vullnet dhe vendosmëri për këtë temë!
Së treti, situata e re në pikat kufitare duhet të shoqërohet me krijimin e fakteve në terren dhe në diplomaci aktive për të siguruar mbështetje të shteteve vendimmarrëse në NATO dhe në BE.
Kjo mund të ndodhë vetëm duke komunikuar me këto shtete, duke i vizituar ato dhe duke ofruar vizion dhe qëndrim të shkruar! Politika e Jashtme nuk guxon të reduktohet në dialog dhe as dialogu vetëm në vendimin për targat!
Situata e re duhet të përdoret nesër dhe në të ardhmen për të krijuar momentum të ri për marrëveshje finale, sepse po shihet që status-quo është e paqëndrueshme, dhe se çdo krizë është mundësi e re nëse qasja është e ndërtuar me një veprim dhe mendim të plotë strategjik, përtej targave si veprim taktik!
Personalisht kam qenë dhe mbetem admirues i Policisë së Kosovës, e cila ka qenë dhe mbetet mbrojtësja më e mirë e sovranitetit dhe e integritetit tonë.
Por, tani është fjala e politikës së Jashtme që duhet të mbështesë sakrificën e policëve në terren që veprimet e tyre të jenë edhe veprime të partnerëve tanë.
Edhe para 10 vitesh, e kam parë dialogun si jetik për përmbylljen e shtetësisë së Kosovës. Ashtu e shoh edhe sot!