Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për gazetën austriake Wiener Zeitung ka thënë se në vitin 2018 mund të ketë një kthesë në dialogun me Serbinë, ndërsa nuk pret që do të ndodhin takime me palën serbe këtë vit.
Hoxhaj ka deklaruar se nuk mund të ketë një pajtim mes Kosovës dhe Serbisë pa pasur njohje të ndërsjellët si dy shtete dhe se do të ishte naive të besohej një gjë e tillë.
“Do të ishte naive të besonim që pa njohje mund të kishim një proces pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë. Ka shembuj të mjaftueshëm në historinë evropiane që tregojnë që fillimisht agjenda politike duhet të ndryshoj, nga shtetet të cilat e kanë sjellë konfliktin. A besoni se Gjermania dhe Franca mund të ishin pajtuar nëse kufiri me Francën do të ishte ende i diskutueshëm?”, ka thënë Hoxhaj.
I pyetur për iniciativën e presidentit serb për dialog të brendshëm në Serbi për Kosovën, Hoxhaj ka thënë se është lëvizje e drejtë dhe e domosdoshme.
“Ajo çfarë Presidenti Vuçiq ka bërë, ishte e drejtë dhe e domosdoshme. Ne jemi duke u përpjekur të kuptojmë se në cilin drejtim ai dëshiron të drejtoj. Për neve është e qartë se Kosova nuk është çështja numër një, e cila njerëzit në Serbi mund t’i lëvizë”.
“Gjithashtu nuk është numri dy apo tre, e as dhjetë. Por edhe nëse është çështja e trembëdhjetë më e rëndësishme në politikën e brendshme serbe, atëherë do të varet nga politikanët për të gjetur zgjidhje. Paralel me këtë ne kemi nevojë për një dialog në shoqëri. Ne duhet të njohim njëri-tjetrin dhe të mos kemi paragjykime, në vend të një realiteti të supozuar, që nuk ekziston”, ka deklaruar Hoxhaj.