Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka njohur kabinetin qeveritar me aktivitetet lobuese në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine, me qëllim të rritjes së njohjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Hoxhaj, ka thënë se synim i Qeverisë, por edhe i ministrisë që ai drejton është që të rrisin numrin e njohjeve për Kosovën, por edhe ta zgjerojnë sovranitetin në tërë territorin e vendit.
“Dua t’ju siguroj se qëllimi ynë kryesor është që ta rrisim numrin e njohjeve, ta zgjerojmë sovranitetin, por edhe ta ushtrojmë sovranitetit. Natyrisht beteja jonë për njohje nuk do të jetë betejë në pafundësi, por e ka një cak të matshëm. Aktualisht janë 112 vende që e kanë njohur Kosovën. Një masë kritike e numrit të njohjeve për ne është numri 120 ose 130 njohje, meqë kjo ka të bëjë edhe me anëtarësimin tonë në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Hoxhaj tha se nëse arrihet ky numër i njohjeve, Kosova nuk do të ketë problem për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë, siç janë, INTERPOL dhe UNESCO.
Ai ka pranuar se procesi i njohjes së Kosovës nga shtetet që ende s’e kanë bërë një gjë të tillë është vështirësuar dukshëm, megjithatë ai paralajmëron njohje të reja gjatë ditëve të ardhshme.
“Deri më tash kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me ministrin Hyseni dhe ministrin Shala sa i takon koordinimit tonë se ku duhet të aplikojmë dhe a duhet të aplikojmë. Por procesi i njohjes së Kosovës është bërë i vështirë, por dua t’ju siguroj se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë lajme të mira dhe do të ketë disa vende të cilat do ta njohin Republikën e Kosovës”, tha ministri Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj, po ashtu tha se java e kaluar në Bruksel është një kaptinë e re e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.