Dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në fazën finale. Ndërkombëtarët po kërkojnë nga dy shtetet që deri në fundin e këtij viti të hartohet një marrëveshje përfundimtare e paqes. Kjo u theksua edhe në Strategjinë e Zgjerimit të BE-së, ku Kosovës dhe Serbisë iu kërkua një marrëveshje sa më shpejtë që është e mundur.
Por, para një marrëveshje përfundimtare, zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj po thotë se Kosova duhet të hartojë një platformë për fazën finale të dialogut.
Hoxhaj ka thënë për lajmi.net se e njëjta platformë duhet të miratohet edhe në Kuvend.
“Kosova duhet të hartojë një platformë, e cila duhet të miratohet në Kuvend të Kosovës dhe e cila do të duhej që të perfshin qëllimet dhe pritjet e Kosovës në dialog me Serbinë”, thotë Hoxhaj.
Sipas zv/kryeministrit Hoxhaj, aty do të duhej të përfshiheshin qëllimet dhe pritjet e Kosovës në dialog me Serbinë.
“Kjo platformë duhet t’i përmbajë të gjithë elementet të marrëveshjes përfundimtare sikurse edhe listën e të gjitha temave dhe çështjeve që janë politike”, ka thënë zv/kryeministri i Kosovës.
Hoxhaj thotë një platformë e tillë do të mundësonte krijimin e një mendimi strategjik për dialogun, që sipas tij duhet të trajtohet si proces dhe prioritet.
Ish-ministri i jashtëm thotë se Kosovës i duhet një plan kohor për dialogun.
“Do të thotë, Kosovës i duhet një plan kohor dhe përmbajtësor se kur duhet të ndodh çka, dhe cilat do të ishin përfitimet dhe përparsitë tona dhe cili mund të ishte skenari i vështirë”, ka thënë Enver Hoxhaj për lajmi.net
Veç dialogut në nivelin e lartë që u zhvillua ndërmjet dy presidentëve, mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdojnë edhe diskutimet në nivelin teknik.
Në të dy format, është kërkuar edhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel, në mesin e të cilave është Asociacioni.
Në mediat serbe ka pasur raportime për formatin e një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tyre, Kosova do ta përfitonte ulësen në OKB, kurse Kosova do të duhej ta formonte Asociacionin, e Serbia do të vazhdonte rrugën drejt BE-së.