Hoxhaj: Qeveria të sqarojë pretendimet për heqjen e njohjeve, përgjegjësi mbajnë Osmani, Kurti dhe Gërvalla

Prishtinë | 05 Jan 2023 | 17:59 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se Qeveria duhet të sqarojë pretendimet për heqjen e njohjeve ndaj Kosovës, dhe nëse këto pretendime dalin të jenë të vërteta, Hoxhaj thotë se përgjegjësi mbajnë Presidentja, Kryeministri dhe ministrja e jashtme.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Hoxhaj është shprehur se një kaosiqëndrimesh, kërcënimesh dhe gabimesh i një politike të jashtme shterpe tregojnë që Kosova po udhëhiqet nga dështimi në dështim!

“Për dy vjet, Kosova nuk ka marrë asnjë njohje të vetme! Përkundrazi, Serbia është duke e goditur kudo Kosovën. Nga goditja kundër sovranitetit të brendshëm në veri në fundvit tani po i shtohet edhe rrudhja e sovranitetit të jashtëm në fillimvit, me një listë pretendimesh për çnjohje të Kosovës!”, ka shkruar Hoxhaj.

Ai, tutje ka thënë se sa ishte ministër i jashtëm, zyrtarisht Kosovën e kishin njohur 115 shtete, ndërsa sot, Hoxhaj thotë se qeveria duhet te sqarojë nëse janë të vërteta pretendimet se Kosovës i janë hequr disa njohje!

“Ka të bejë me interesin vital të Kosovës që të tregohet nëse këto pretendime janë të vërteta dhe përgjegjësinë e mbajnë Presidentja, Kryeministri dhe Ministrja e Jashtme për këtë dështim!”, ka vazhduar shkrimin ai.

Të ngjashme