Ministri i Punëve të Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, në lidhje me raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kreu i diplomacisë kosovare dha një pasqyrë të veprimeve të Serbisë kundruall Kosovës në gjashtë muajt e fundit, të cilat, sipas tij, janë të sinkronizuara dhe pjesë e një skenari të mirëmenduar, bazuar në platformën e qeverisë serbe, të miratuar gjatë vitit të kaluar në Beograd.
Ai tha se Kosova duhet të ketë një politikë të koordinuar mirë ndaj Serbisë dhe provokimeve të saj dhe se mbi të gjitha nevojitet bashkëpunimi institucional në mënyrë që Kosova të mos bjerë pre e provokimeve dhe ta mbrojë sovranitetin dhe integritetin e saj, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Jashtëm tha se provokimet sistematike të Serbisë nuk duhet parë vetëm në raport me Kosovën, por edhe me vendet e tjera në rajon, siç është Mali i Zi, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia. Ai bëri të ditur po ashtu, se në Serbi ekziston tendenca e rritjes së potencialit ushtarak të saj.
“Shqetësim yni i ri që dua ta ndaj me ju është se Serbia po e rrit potencialin e saj ushtarak dhe po armatoset. Vetë Vuçiqi në vizitat e tij jashtë Serbisë në janar të këtij viti, flet për armët dhe aeroplanët e rinj që janë blerë nga shteti serb. Pra, bilanci i forcave ushtarake serbe nuk është i njëjtë siç ka qenë para disa muajsh”, ka deklaruar Hoxhaj.
Kreu i MPJ-së, në mënyrë kronologjike, përmendi të gjitha ndërhyrjet flagrante të shtetit serb, i cili, sipas tij, ende përbën kërcënuesin më të madh jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për paqen e stabilitetin në rajon.
“Për ne si Qeveri e Kosovës, ekziston një kontinuitet i politikës agresive dhe armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës”.
Ndër këto veprime, ai përmendi ndërtimin e shtëpive të serbëve në të ashtuquajturën “Lugina e Diellit” në veri të Kosovës, tendencën për të ngritur dhe problematizuar çështjen e pronës në Kosovë, kalimin ilegal të kufirit me Kosovën nga ana e zyrtarëve të qeverisë serbe, riaktivizimin e fletë-arresteve ndaj qytetarëve të Kosovës dhe lidershipit të saj në Interpol, duke e keqpërdorur këtë institucion të rëndësishëm ndërkombëtar, përpjekjen për futjen e trenit me motive shoviniste dhe nacionaliste në Kosovë, si dhe ndërtimin e murit në pjesën veriore të Mitrovicës, i rrënuar ditë më parë, për të cilin ministri Hoxhaj tha se është ndërtuar për tre orë, brenda një nate.
“Në të gjitha këto zhvillime ne kemi ndjekur një politikë të kujdesshme. Kosova duhet ta ketë një politikë më të gjerë në raport me Serbinë”, theksoi ministri Hoxhaj, duke paralajmëruar se deri në përzgjedhjen e kandidatëve për president në Serbi, mund të priten edhe provokime të tjera nga Beogradi.
Deputetët nga grupet parlamentare në opozitë, të përfaqësuar në komision, Pal Lekaj nga AAK dhe Zafir Berisha nga Nisma, ngritën çështjen e ndalimit të Ramush Haradinajt në Paris, me fletë-arrest të Serbisë, duke kërkuar nga ministri Hoxhaj informacione lidhur me zhvillimet e fundit për këtë rast, si dhe për strategjinë e Qeverisë së Kosovës përkitazi me veprimet konsistente destruktive të Serbisë gjatë muajve të fundit.
Ndërkaq, Ismet Beqiri nga LDK, Cerim Bajrami nga 6+, Luljeta Veselaj-Gutaj dhe Blerta Deliu-Kodra nga PDK, theksuan nevojën e qëndrimit unik të të gjithë spektrit politik të Kosovës kundruall provokimeve të Beogradit, ndërsa adresuan çështjen e tërheqjes së përfaqësuesve të komunitetit serb nga institucionet qendrore të Kosovës me urdhër të Beogradit, efektet e dialogut me Serbinë, temat e reja që pritet të hapen në këtë dialog etj.
Lidhur me rastin e Haradinajt, ministri Hoxhaj theksoi angazhimin e tij në këtë drejtim, nëpërmjet bisedave të shpeshta telefonike më ministrin e jashtëm francez dhe vizitës në Francë. Ai tha se ndalimi i Haradinajt ishte një aksident dhe shfaqi besimin për lirimin e shpejtë të tij.
Kryetari i Komisionit, Elmi Reçica, duke theksuar nevojën e koordinimit të angazhimeve midis ministrisë dhe komisionit, theksoi se Serbia ka plane dhe projekte për destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi, andaj shtroi nevojën që Kosova të ketë sa më shpejtë ushtrinë e saj.
“Serbia aktualisht i dëshiron paratë dhe integrimet evropiane, ndërsa armët i kërkon nga Rusia dhe Bjellorusia”, theksoi Reçica.