Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka reaguar ashpër Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas deklaratës së tij sot se “Kosova rrezikon të mbetet edhe pa disa njohje”.
Në Twitter, Hoxhaj ka thënë se është e papranueshme që Serbia keqpërdor një konferencë për ndryshimet klimatike në Paris, që të luftojë kundër Kosovës. Sipas tij, kjo qasje po i rrezikon shumë procesin e dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
“Është e papranueshme të keqpërdoret Samiti për Ndryshime Klimatike në Paris për të sulmuar shtetësinë e Kosovës nga Vucic. Samite të tilla duhet të përdoren për të adresuar sfidat e Ballkanit në fushën e ambientit. Kampanja agresive e Serbisë dhe presioni ndaj vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës e vënë në rrezik dialogun dhe normalizimin e raporteve. Serbia është e vetëdijshme që dialogu do të përmbyllet me marrëveshje ligjore të obligueshme dhe njohje të ndërsjellë”, ka shkruar Hoxhaj.