Ishte i vetmi që kërkoi të shtyhet Konventa e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e ri, por megjithëkëtë, Enver Hoxhaj tashmë ka arritur në mbledhjen e saj, raporton Ekonomia Online.
Ai ka u shpreh se do të deklarohet pas Konventës.
“Flas pas Konventës”, tha shkurt Hoxhaj.
Hoxhaj ka shprehur gatishmërinë e tij për të qenë kandidat për kryetar të PDK-së pasi Memli Krasniqi dha dorëheqje nga ky post me 12 nëntor.
Agim Aliu për kandidaturën për kryetar të PDK-së: Nuk po besoj që ka pasë nevojë me u shty
Agim Aliu nga PDK i cili njëherit udhëheq me komunën e Ferizajt tha se nuk është e nevojshme të shtyhet për postin e kryetarit të PDK-së, duke thënë se veç Bedri Hamzës nuk ka pasë të tjerë që kanë kandiduar, raporton Ekonomia Online.
“Diçka që po mbahet nuk po besoj që ka pasë nevojë me u shty, me qenë se e kemi veç një kandidat, besoj që ai do të zgjidhet, mendoj që është zgjedhja e duhur. Zyrtarisht nuk ka, me sa jam unë i njoftuar nuk ka aplikuar dikush përveç Bedri Hamzës”, tha ai pak para se të fillojë edhe Konventa e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e ri meqenëse Memli Krasniqi më 12 nëntor në një konferencë për media kumtoi lajmin se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
E një interesim për kandidat për kryetar të kësaj partie pati edhe Enver Hoxhaj, por zyrtarisht ende nuk dihet asgjë.
HALITI: KA RREGULLA MË SHUMË SESA QË DUHET, IA PAMUNDËSOJNË DIKUJT ME HY
Xhavit Haliti i PDK-së ka konsideruar krejtësisht normale që të ketë dikush pretendime për postin e kryetarit, por që thekson se ka rregulla më shumë sesa që duhet, raporton Ekonomia Online.
“Është krejtësisht normale në demokraci me pas pretendime dikush tjetër. Tani rregullat janë strikte më shumë sesa që duhet, por rregullat janë rregulla, statutin duhet ta zbatojmë të gjithë. Janë ca rregulla që realisht ia pamundësojnë dikujt me hy. Sipas statutit duhet me i pas nënshkrimet e delegatëve edhe duhet me paraqit kandidaturën, edhe duhet me paraqit kandidaturën 5 ditë para”, tha Haliti pak para se të nisë Konventa e PDK-së e ku pritet të votohet për kryetar të saj, e që deri më tani i vetmi kandidat zyrtarisht është Bedri Hamza.
Pretendime për këtë post pati edhe Enver Hoxhaj.
MUSLIU: E RËNDËSISHME ËSHTË QË SOT E KEMI NJË KONVENTË DEMOKRATIKE
Ndonëse e jashtëzakonshme, megjithatë deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e quan demokratike Konventën e PDK-së ku pritet të votohet kryetari i ri, pasi Memeli Krasniqi me 12 nëntor veçse dha dorëheqje nga kjo pozitë, raporton Ekonomia Online.
“E rëndësishme është që sot e kemi një Konventë demokratike edhe pse është e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së kryetarit Memli Krasniqi. Uroj që Konventa të shkojë mbarë dhe ne edhe ju do të dalim të kënaqur pas mbarimit të kësaj Konvente”, tha ajo.
ÇITAKU NUK TREGON A KA KANDIDAT TJETËR PËR KRYETAR TË PDK-SË: PAS KËTIJ PROCESI PDK DO TË JETË EDHE MË E BASHKUAR
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku nuk ka bërë të ditur nëse ka tjetër kandidat për kryetar të këtij subjekti politik, përveç Bedri Hamzës, ndonëse edhe Enver Hoxhaj shprehi gatishmërinë për këtë post, raporton Ekonomia Online.
Ajo pak para se të fillojë edhe Konventa e PDK-së kur pritet të votohet për kryetarin e ri, meqenëse Memli Krasniqi ditë më parë dha edhe dorëheqje nga ky funksion, tha se PDK do të jetë edhe më e bashkuar dhe më e unifikuar për t\u përballur me zgjedhjet.
“PDK është parti me emrin e së cilës identifikohet procesi i shtendërtimit të Kosovës. Sot po hyjmë në një etapë të re, pas këtij procesi PDK do të jetë edhe më e bashkuar, edhe më e unifikuar për t’u përballur me zgjedhjet e përgjithshme që na presin. Fitoren nuk e shohim brenda llojit, fitoren e vërtetë e kemi pas zgjedhjeve parlamentare”, tha ajo duke mos bërë të ditur nëse ka kandidat tjetër përveç Bedri Hamzës për kryetar.
QALAJ: HAMZA ËSHTË NJËRI NGA KANDIDATËT MË TË SUKSESSHËM TË PDK-SË, RESPEKT EDHE PËR HOXHAJN
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka thënë se kandidati për kryetar të kësaj partie është Bedri Hamza, por thekson se edhe Enver Hoxhaj gëzon respektin e tij, raporton Ekonomia Online.
Derisa pritet të mbahet Konventa e kësaj partie për të zgjedhur edhe kryetarin e ri, Qalaj tha se do të jenë përkrahës të cilitdo që bëhet kryetar, duke shtuar se shpresojnë që PDK do të jetë shumë më e fortë.
“Është më rëndësi të zgjidhet kryetari dhe pastaj kryetari sigurisht që do të dalë në publik me planet dhe objektivat e tij. Ne do të jemi përkrahës të mëdhenj të gjithë atyre propozimeve që bën kryetari. Shpresoj që PDK do të jetë shumë më e fortë, shumë më e konsoliduar dhe gjithë së bashku do të kemi rezultat shumë më të mira në zgjedhjet e ardhshme”, tha Qalaj.
Ai tha se Hamaza është nëjri nga kandidatët më të suksesshëm të PDK-së.
“Konsideroj që Hamza është për momentin dhe do të jetë njëri nga kandidatët më të suksesshëm të PDK-së. Respekt edhe për Hoxhajn edhe për të tjerët, se kushdo që të zgjidhet kryetar sot do të jetë kryetari im”, nënvizoi ai.