Zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj ka takuar sot raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, për të diskutuar në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave.
Hoxhaj ka informuar Soltes për progresin e Kosovës në këtë drejtim, duke theksuar se tashmë janë plotësuar të gjitha kriteret e parapara.
Hoxhaj tha se tani është në dorën e institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare që ta marrin vendimin për t’ua mundësuar lëvizjen e lirë qytetarëve të Kosovës dhe të përfundojë izolimi i tyre i padrejtë.
“Takova raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes të cilin e informova për procesin e liberalizimit duke theksuar se Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kriteret e parapara. Është koha e fundit që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja e lirë dhe të përfundojë ky izolim i padrejtë”, ka thënë Hoxhaj.
Ai përmendi edhe disponimin pozitiv të institucioneve të BE-së të cilin e kishte vërejtur nga takimet në vizitën e tij më të fundit në Bruksel.