Hoxhaj takon prodhuesit vendës: Ekonomia dhe sektori privat, prioriteti ynë

Prishtinë | 01 Shk 2021 | 17:38 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në debatin “Partneriteti për Zhvillim Ekonomik”, ku ka prezantuar planin e rimëkëmbjes.

Hoxhaj para përfaqësuesve të bizneseve vendore ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, bizneset i sheh si bosht të zhvillimit ekonomik dhe gjatë qeverisjes së tij e kanë paraparë fondin prej 1 miliard eurosh, ku 500 milionë janë të dedikuara për bizneset.

“Ne e shohim sektorin privat, ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha, si një bosht dhe si e vetmja mundësi për ta zhvilluar ekonominë e Kosovës, për ta rritur ekonominë e Kosovës. Ne në këto zgjedhje shkojmë me 5 prioritete. Prioriteti numër një është ekonomia dhe zhvillimi i ekonomisë përmes sektorit privat, një qeverisje sa më e vogël dhe një sektor privat sa më i rëndësishëm”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka thënë se prioritet të qeverisjes së tyre e kanë edhe shëndetësinë, arsimin, drejtësinë dhe politikën e jashtme.

“Ka dy modele sesi shihet zhvillimi ekonomik në këtë vend, një model ku qeveria e sheh sektorin privat si partner, si bosht të zhvillimit, që bënë përpjekje që përmes stimujve konkret fiskal t’i ndihmojë, t’iu ofrojë mbështetje institucionale. Dhe, ka një model të dytë, ku biznesmenët së bashku me politikanët satanizohen, goditen, atyre ju propozohen politika të larta fiskale. Këto zgjedhje janë të rëndësishme çfarë tregu do të kemi ne pas 14 shkurtit”, ka thënë ai.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për deputet, Bedri Hamza, ka theksuar se si parti prioritet kryesor e kanë përkrahjen dhe zhvillimin e sektorit privat.

Ai ka paraqitur edhe disa nga pikat të cilat i përfshin plani i Rimëkëmbjes së Partisë Demokratike të Kosovës.

“Të kemi një fond prej 500 milionë euro, që do të jetë kontribut financiar pa kthim për bizneset me kritere të qarta, sepse bizneseve nëse ju themi veç shko merr kredi, disa prej tyre jo veç që janë të ngarkuara, po janë të stërngarkuara. Ne po duam t’i mbajmë bizneset në jetë, po duam t’i ndihmojmë tash për me iu marr tatime më vonë. Përveç këtij fondi, i cili do të jetë kontribut financiar pa kthim në bazë të standardeve të caktuara, ne kemi propozuar që ta rrisim kapitalin për fondin e garantimit të kredisë për 100 për qind”, ka thënë ai.

Ndërsa, nënkryetari tjetër i PDK-së dhe kandidati për deputet Memli Krasniqi, ka paraqitur të gjitha projektet që i ka mbështetur ndër vite Partia Demokratike e Kosovës.

Të ngjashme