Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot Sekretaren e Organizatës së Frankofonisë, Michaëlle Jean, në Madagaskar ku po merr pjesë në Samirin e Frankofonisë.
Kryediplomati Hoxhaj gjatë këtij takimi ka biseduar për bashkëpunimin e ngushtë në mes të Frankofonisë dhe Kosovës. Hoxhaj e ka njoftuar Sekretaren për synimin e Kosovës për t’u bërë shtet anëtar edhe në Agjensionin e Universiteteve Frankofone dhe në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë.
“Kam biseduar për bashkëpunimin e ngushtë në mes të Frankofonisë dhe Kosovës nga koordinimi për çështje të politikës së jashtme, e deri tek bashkëpunimi ekonomik, arsimor dhe kulturor! Sekretares i thashë që Kosova synon që të bëhet anëtare në Agjensionin e Universiteteve Frankofone dhe në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë”, ka thënë Hoxhaj.
Ministri Hoxhaj, e ka informuar sekretaren Jean për zhvillimet dhe të arriturat e Kosovës dhe ka kërkuar mbështetjen për njohje të reja për Kosovën.
Hoxhaj sot ka zhvilluar takim edhe me ministren kanadeze për zhvillim ekonomik Francine Landry, me të cilën kanë biseduar për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe mundësinë e projekteve konkrete të përbashkëta nga të cilat do të përfitojnë qytetarët e Kosovës.
Një ditë më herët Hoxhaj ka takuar edhe ministrat e Jashtëm të Belgjikës, Xhibutit dhe Burundit, ndërsa do të vazhdojë me agjendën e tij lobuese.
Kosova është anëtarësuar në Organizatën e Frankofonisë në vitin 2014 si shtet anëtar vëzhgues.