Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj protestës së sotme të serbëve në afërsi të kufirit të Jarinjës.
Përmes një postimi në Twitter, Hoxhaj tha se regjimi i Vuçiqit organizoi protesta dhe tensione në bashkëpunim me grupin Wagner.
Sipas tij, regjimi serb është përgjegjësi i vetëm për tensionet e krijuara.
“Sot, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, regjimi i Vuçiqit organizoi protesta dhe tensione në bashkëpunim me grupin Wagner që është i përfshirë në agresionin kundër Ukrainës. Kjo lojë e pistë e Beogradit ekziston për dekada. Regjimi serb është i vetmi përgjegjës për tensionet”, ka shkruar Hoxhaj.
Disa protestues serbë janë përleshur të dielën me forcat policore të Serbisë afër pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë, – në anën e territorit serb – teksa kanë protestuar si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve lokalë që kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës.