Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka kujtuar 9-vjetorin e verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila Pavarësinë e Kosovës e shpalli legjitime.
Hoxhaj ka thënë se ky vendim i GjND-së e ka konfirmuar të drejtën e shtet ndërtimit dhe sovranitetit të Kosovës.
“Nëntë vjet më parë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë njohu legjitimitetin e Pavarësisë së Kosovës. Ky vendim, konfirmoi të drejtën e shtet ndërtimit, konfirmoi sovranitetin dhe integritetin e shtetit tonë”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
E nëntë vjet pas, Hoxhaj tha se Kosova ka vendosur para saj rrugën drejt integrimit euroatlantik bashkë me institucionet e saj.
“Të jemi krenarë për rrugën e bërë deri sot, megjithatë, të vetëdijshëm edhe për shumë sfida që na presin”, ka shkruar Hoxhaj.