Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka cilësuar si të duhur vendimin e Qeverisë Hoti për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Hoxhaj thotë se ishte kundër reciprocitetit gjysmak të Albin Kurtit.
“Reciprociteti gjysmak i tij jo vetëm që nuk i solli gjë Kosovës, por vetëm i acaroi raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrezikoi përkrahjen e SHBA-së për Kosovën dhe e bëri Serbinë të duket viktimë”, shkruan Hoxhaj.
Postimi i tij i plotë:
Kam qenë kundër reciprocitetit gjysmak të Albin Kurtit, të cilin e bëri për efekte elektorale. Sepse, Kosova nuk përfitoi asgjë prej tij, pos diskursit patetik të instaluar për gjoja mbrojtjen e Kosovës nga copëtimi.
Ky lloj reciprociteti ka qenë veçse një mashtrim i radhës i z. Kurti, pas kauzave të rrejshme me të cilat manipuloi opinionin e Kosovës në vazhdimësi.
Reciprociteti gjysmak i tij jo vetëm që nuk i solli gjë Kosovës, por vetëm i acaroi raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrezikoi përkrahjen e SHBA-së për Kosovën dhe e bëri Serbinë të duket viktimë.
Vendimi i sotëm i qeverisë Hoti është i duhuri dhe këtë duhet thënë publikisht. Pavarësisht se çka mendojmë për faktin se edhe z. Hoti ishte pjesë e asaj qeverie që dëmtoi ndërkombëtarisht Kosovën.
Prandaj shpresojmë që dëmi i bërë të mos jetë i pariparueshëm. Pikërisht për shkak të seriozitetit të çështjes, me plot bindje them se PDK është e vetmja parti e cila nuk ka shpikur kauza për luftë partiake që i bëjnë dëm Kosovës dhe është e vetmja parti e cila do të angazhohet pa kompromis në përmbylljen e shtetësisë së Kosovës.