Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj të hënën ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) në prag të muajit të shenjt të Ramazanit, raporton Ekonomia Online.
Hoxha në takim është pritur nga kreu i këtij institucioni Naim Tërnava.
Ai për vizitën ka shkruar në një status në rrjetin social Facebook. Sipas tij, muaji i Ramazanit ka qenë festë që gjithmonë ka bashkuar e afruar njerëzit dhe ka nxjerrë në pah virtytet më të mira njerëzore.
Ai me këtë rast u ka uruar të gjithë besimtarëve agjërim të lehtë.
“Në vizitë te kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, që ta uroj për fillimin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Muaji i Ramazanit, përtej obligimit fetar, ka qenë festë në mesin tonë që gjithmonë na ka bashkuar e afruar me të afërmit tanë dhe ka nxjerrë në pah virtytet më të mira njerëzore”.
“Qoftë ky një muaj i bekuar me shëndet për të sfiduarit nga virusi, solidaritet me nevojtarët, forcë për të pafuqishmit, e vullnet për ata që po ballafaqohen me sfida. Urime edhe agjërim të lehtë”.
Përderisa Tërnava paraditen e së hënës ka dhënë mesazhin e majit të Ramazanit, ku ka kërkuar respektim të masave anti-Covid.
Madje sipas tij, ky muaj është i veçantë për myslimanët, ngase është muaj i paqes dhe mirësisë.
Muaji i Ramazanit fillon të martën më 13 prill dhe përfundon më 12 maj. Më 13 maj është dita e Fitër Bajramit.