Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj në një intervistë dhënë revistës Tageblatt, në Gjermani ka thënë se kryeministri serb Vuçiç se po zhvillon luftë informative të stilit rus, njofton MPJ.
Hoxhaj tha se duke i përdorur mediat të cilat ai i kontrollon, Vuçiq ka nisur një luftë informative, me qëllim keqinformimin e opinionit në lidhje me Kosovën, provokimin e Kosovës dhe nxitjen e tensioneve të reja, transmeton koha.net.
“Ne nuk duam të ngremë asnjë retorikë luftarake. Por në anën tjetër, Aleksander Vuçiç po zhvillon një luftë informative të stilit rus. Unë nuk dëshiroj ta ndërtoj politikën tonë të jashtme mbi gjuhë të rëndë, por mbi parime. Në gjashtë muajt e fundit ka pasur një zinxhir të ndodhive, me anë të të cilave Kosova është provokuar me vetëdije nga ana e Serbisë”, ka thënë Hoxhaj.
Në këtë intervistë, Hoxhaj ka theksuar se Serbia ende nuk ka treguar asnjë interesim për të kërkuar falje për ngjarjet në Kosovë, apo në Bosnje dhe Kroaci.
“Edhe 17 vite që nga përfundimi i luftës, Serbia nuk ka treguar asnjë interesim për të kërkuar falje për atë që ka ngjarë ne Kosovë, por edhe në Bosnje dhe Kroaci. Unë e kuptoj zemërimin e njerëzve, të cilët ende kanë dike të afërm të zhdukur. Ne jemi të detyruar të ndërtojmë një urë në mes të një të kaluare të rëndë dhe një të ardhmeje më të mirë. Ne duhet të shohim përpara, por pa harruar se çfarë ka ndodhur”, ka thënë Hoxhaj.