Mustafë Bajrami dhe Drilon Gashi janë hoxhallarë mesatarisht të njohur. Përveç profesionit të hoxhës, ata kanë edhe një tjetër gjë të përbashkët. Të dy janë të afërt me pushtetin aktual në Kosovës, pra me Lëvizjen Vetëvendosjen. I pari, pra z. Mustafa, ishte anëtarësuar vite më parë në VV, ndërsa i dyti, pra z. Gashi, ishte bërë pjesë e kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, vitin e kaluar. Por kush janë dy “hoxhollarët” e pushtetit?
Mustafë Bajrami, hoxhë nga qyteti i Gjilanit, është një emër i përveçëm deri diku i njohur. Në skenën mediale, z. Bajrami ishte ftuar të fliste në shumë raste për Turqinë, marrëdhëniet mes shtetit dhe fesë, por edhe tema të tjera, përfshirë futbollin. Madje për këtë të fundit, hoxha ishte bërë viral, pasi kishte zgjedhur të vishte një veshje tradicionale të Katarit, vend ku u mbajt Kupa e Botës vitin e kaluar.
Bajrami deklaronte se arsyeja e veshjes së “Dishdashes”, ishte shenjë e “solidalizimit” me popullin e Katarit, ku ai i kishte kaluar disa vite të jetës së tij. Por z. Bajrami mbahet mend edhe për një diskutim pak të sikletshëm në Kanal 10 me Blerim Gashin, qytetarin e panjohur që u bë analist falë Arben Ahmetit, drejtorit të Kanal 10.
I titulluar “Feja dhe poliitka”, në këtë debat pjesëmarrës ishin saktësisht gjashtë burra. Në debat e sipër, një sekuencë interesante ishte zhvilluar mes Gashit dhe hoxhë Bajramit. Z.Gashi, gjersa fliste për thithjen e cucllës – figurativisht – tha se kosovarët kanë dy zgjidhje: ta thithin cucllën e Arabisë Saudite apo atë të Francës. E hoxhë Bajrami kishte shtruar një pyetje provokuese.
“Cilën ke qef me thithë?”, ishte pyetja e hoxhës, që e bëri të qeshte me zë Ridvan Berishën, gazetar e tash pak edhe analist.
Sidoqoftë, atëbotë Gashi nuk kishte asnjë dilemë se cilën “cucëll” ka dëshirë ta thithë, pasi përgjigjja e tij ishte e menjëhershme.
“Të Francës, na e kemi zgjedh.” – tha rrufeshëm Gashi.
“Shko, thithe, burrë.” – ishte deklarata pasuese e hoxhë Mustafë Bajramit.
Kujtojmë që Bajrami ishte anëtarësuar në LVV, e Albin Kurti, njeriu që e priti në takim, kishte thurur elozhe për të.
“Mustafë Bajrami është autor i katër librave në fushën e logjikës, dy librave në filozofinë islame, një në marrëdhënie ndërkombëtare-diplomaci, si dhe përkthyes i 10 veprave nga anglishtja, turqishtja dhe arabishtja. Po ashtu është edhe autor i një morie punimesh në teologji, filozofi, politikë dhe diplomaci si dhe i qindra shkrimeve e opinioneve. Si një lobues për njohjen e Kosovës në shumë shtete të botës dhe si njohës i mirë i Lindjes së Afërt e të Mesme, z. Mustafa Bajrami sjell dije e përvojë të vlefshme për Lëvizjen tonë.” – theksonte Kurti.
Ndërsa Drilon Gashi është hoxhë më i ri në moshë, rrjedhimisht më i ri në jetën publike në Kosovë. Ai kryesisht u bë i njohur për deklaratat e tij pak kontraverse, duke thyer ca interpretime të etabluara në islam. Madje në një moment, ai kishte theksuar se beson në teorinë e evolucionit të Darvinit, gjë e cila e kishte penalizuar në punën e tij, duke u përjashtuar nga BIK-u.
“Ne mendojmë se e vërteta qëndron në evolucionin e drejtuar nga Zoti apo EVOLUCIONIN hyjnor TEISTIK. Ky drejtim e bashkon shkencën me logjikën e shëndoshë; i pranon të dhënat shkencore që e pohojnë evolucionin e specieve e sidomos atë gjenetik organik, mirëpo këtë proces e komenton komfor logjikës së shëndoshë; evolucioni nuk bëhet rastësisht dhe nuk e ka seleksionuar “nëna natyrë”, por është ligj i Zotit në krijimin e gjërave, pra është seleksionim hyjnor që bëhet prej Zotit.” – thoshte ai në një intervistë për Periskopin.
Interpretimet heterodokse dhe përqasjet filozofike të z. Gashit, duket t’i kenë pëlqyer Glauk Konjufcës, kryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së. Në media është raportuar se z. Gashi është bërë pjesë e kabinetit të z. Konjufcës, si pjesë e një programi.