Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adrijana Hoxhiq, ka shprehur bindjen se zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetar të Komunës së Leposaviqit, të Zubin Potokut, të Zveçanit dhe të Mitrovicës së Veriut do të shkojnë mirë.
Ajo ka deklaruar se të gjitha institucionet kompetente i kanë marrë të gjitha veprimet që të ketë një ecuri zgjedhore korrekte dhe demokratike.
Hoxhiq i ka ftuar qytetarët e këtyre komunave që të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre.
“Unë luftoj për demokraci të lartë dhe për cilësi në demokraci. Jam shumë e bindur se në terren nuk do ta kemi ndonjë problem. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të votojnë sipas mendimit dhe vullnetit të tyre”, ka thënë Hoxhiq.
Ajo ka treguar se institucionet i kanë marrë masat e duhura edhe në aspektin e sigurisë. “Jam e bindur se aktorët dhe institucionet kompetente do ta bëjnë punën e tyre që ta kemi nivelin e sigurisë në mënyrën e duhur”, është shprehur ajo.
Hoxhiq ka shprehur optimizëm se kryetarët e rinj të këtyre komunave nuk do të japin dorëheqje pas zgjedhjeve.
“Nuk dua ta mendoj këtë skenar. Shpresoj që kryetarët që do të zgjedhën në këto zgjedhje nuk do të japin dorëheqje. Por, nëse vijmë deri në atë gjendje, Ministria e Pushtetit Lokal nuk është institucioni që merret me këtë çështje. Është presidenti i Kosovës i cili i shpallë zgjedhjet dhe më pas janë institucionet e tjera që i organizojnë ato”, ka thënë ajo.
Në këtë intervistë Hoxhiq ka folur edhe për punën si ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Ajo ka treguar se deri më tani nuk ka pasur kurrfarë presioni nga askush.
“Vërtet gjatë kësaj kohe nuk kam pasur kurrfarë presioni për marrjen e këtij posti. Mendoj se të gjithë e kanë kuptuar se angazhimi im ndërlidhet ekskluzivisht me përvojën e punës që unë kam në vetëqeverisjen lokale. Në anën tjetër, unë me punën e deritanishme kam treguar interesim që t’u ndihmoj të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Hoxhiq për gazetën Epoka e Re.