Zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, u bëri thirrje liderëve kosovarë që të mos miratojnë projektligjin që do të krijonte ushtri të rregullt nga Forca aktuale e Sigurisë, e armatosur lehtë.
Zyrtari amerikan tha se liderët e qeverisë duhet të konsultohen me pakicat etnike dhe të punojnë bashkë drejt ndryshimeve kushtetuese.
“Do të donim që qeveria të bëjë një hap prapa dhe ta tërheqë ligjin nga tryeza”, tha Yee në një intervistë për RTK-në, gjatë qëndrimit në Prishtinë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dërguar në parlament një projektligj për krijimin e ushtrisë së rregullt.
Ligji nuk do të kërkonte votat miratuese nga pakicat, ashtu siç i kërkojnë ndryshimet kushtetuese.
Yee po ashtu u bëri thirrje partive politike në Kosovë të miratojnë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.