Zëvendës-ndihmës sekretari i Amerikës, Briyan Hoyt Yee ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë.
Ai ka këshilluar të dy vendet që dialogu të vazhdojë në hapa më të shpejtë se tani, por që sipas tij janë Kosova dhe Serbia që vendosin.
“Ka filluar një dialog i brendshëm në Serbi, por duhet të zhvillohet edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më shpejt se që është tani. Kjo është vetëm këshillë, pasi përsëri dy shtetet vendosin”, deklaroi Yee.
Zyrtari i lartë amerikan u pyet nga një gazetar i Zërit të Amerikës për dekalratën e tij se “Serbia nuk duhet të ulet në dy ulëse”.
Ai e sqaroi situatën duke thënë se ishte një këshillë e tij dhe jo ultimatum.
“Thënia ime ishte që Serbia të shkojë sa më shpejt drejt BE-së. Nuk ishte ultimatum, as paralajmërim. Tema ishte se si shteti serb duhet të ecë drejt Bashkimit Evropian, dhe unë i dhashë disa këshilla”, tha Hoyt Yee.
Ai në fund theksoi se Amerika do të mbetet partner i Serbisë.