HTC është një nga kompanitë që llogarisin në 5G, teknologji kjo e cila mund t’i japë kompanisë në rënie jetë të re. Megjithatë, ndryshe nga Samsungu, Huawei, LG-ja, Xiaomi dhe të tjerët, HTC nuk e ka prezantuar ndonjë telefon të ri të pajisur me teknologjinë 5G. Në vend të kësaj, kompania tajvaneze në MWC 2019 ka sjellë Hubin HTC 5G, përcjell PhoneArena.
HTC 5G Hub paraqet një kombinim interesant të hotspotit dhe ekranit të mençur. E promovuar si “smart hub i parë mobil 5G në botë”, pajisja e ka një peshë prej 340 gramësh, ekran 5-inçësh me prekje me rezolucion 1280 x 720p dhe shtojcën Snapdragon 855 SoC dhe modelim Snapdragon X50 për të arritur shpejtësi 5G, shkruan KOHA Ditore.
HTC planifikon ta përdorë Hubin 5G në kombinim me një tjetër ekran më të madh – ideal me TV që ka mundësi të transmetimit në 4K. HTC 5G Hub do të duhej që pa vështirësi ta mbështesë streamingun me softuerin e instaluar Android 9.0 Pie, ose me Windows PC.
Përveç kësaj, 5G Hub mund të përdoret gjithashtu në mjedis pune ose në lëvizje. Është e mundur t’i lidhni deri në 20 pajisje në të njëjtën kohë, ndërkohë që ofrohen edhe vegla të integruara për enkriptim. Pajisja gjithashtu mund të përdoret për ta shfaqur përmbajtjen e realitetit virtual nga cloudi në pajisjen Vive pa u lidhur me kompjuter.
HTC 5G Hub furnizohet nga një bateri e madhe prej 7660mAh, ndërsa kompania nuk e ka njoftuar ndonjë çmim. Pajisja do të jetë në shitje nga tremujori i dytë i këtij viti.