Arrestohet për ryshfet një polic në veri të Mitrovicës

Prishtinë | 22 Jan 2020 | 16:45 | Nga Ekonomia Online

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës përmes rrugëve operative kanë pranuar informatat se një zyrtar policor i Drejtorisë së Mitrovicës së Veriut ishte i përfshirë në një aktivitet të kundërligjshëm.

Bazuar në të dhënat fillestare të pranuara, i dyshuari (zyrtari policor me inicialet D.K) ka kërkuar një shumë të konsiderueshme të parave (25.000 euro) nga një qytetar për t’i bërë të mundur transferimin e pajisjeve të një fabrike nga komuna e Zveçanit në komunën e Graqanicës.

“Hetuesit e IPK-së kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore që ka përfshirë grumbullimin e informacioneve shtesë në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë. Nga hetuesit e IPK-së ka filluar hetimi penal me dyshimin se nga zyrtari policor janë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje e ryshfetit”, thuhet në komunikatë.

Bazuar në Kodin e Procedurës Penale hetuesit e IPK-së kanë siguruar urdhëresën për masa të fshehta nga Gjykata Themelore e Mitrovicës duke përfshirë këtu edhe masat e fshehta të hetimit respektivisht simulimit të veprës penale.

Kjo urdhëresë është zbatuar sot nga hetuesit e IPK-së të cilët janë asistuar edhe nga njësi të specializuara të Policisë së Kosovës dhe ka rezultuar me arrestimin e të dyshuarit – zyrtarit policor D.K ( pjesëtar i Policisë së Kosovës në Njësinë Reaguese të Shpejtë – Drejtoria Rajonale Veriu).

Gjatë arrestimit tek i dyshuari janë gjetur 12.500 euro (dymbëdhjetë mijë e pesëqind euro) të cilat dyshohet që i ka pranuar nga ankuesi/viktima.

Të dyshuarit të arrestuar nga hetuesit e IPK-së me vendim të prokurorisë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme