Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një vizitë pune në Komunën e Fushë-Kosovës. Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se është një mundësi e mirë që t’i shpreh respektin dhe përgëzimin për angazhimin në punë kryetarit të Fushë-Kosovës, i cili siç tha kryeministri, është një kryetar veprues, dhe që njëkohësisht të bisedohen edhe temat që janë interes i qytetarëve të Fushë Kosovës.
“Kryetari shpjegoi se popullsia është rritur shumë shpejt në Fushë-Kosovë dhe kjo ka sjellë plot implikime të tjera, mirëpo është fat i madh që qeveria komunale dhe kryetari kanë arritur t’i përcjellin këto trende”, tha kryeministri Haradinaj.
Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj, potencoi faktin se janë disa kërkesa që kërkojnë ndërhyrjen e Qeverisë nacionale siç janë hartat zonale që janë të nevojshme sepse siç theksoi ai, është presion i madh i prezencës deri tash i bizneseve e i qytetarëve por edhe i kërkesave të reja.
“Pastaj çështja e komunikacionit dhe kalimit përmes qytetit për të cilin është i nevojshëm edhe një rrethrrotullim, trafostacionin që është në proces dhe shpresoj se do të kryhet shpejt, trajtimit të ujërave të zeza dhe çështjen e pronave, sepse Fushë Kosova vuan për mungesë të pronave që t’i ketë në shfrytëzim për interesa të komunës”, tha kryeministri Haradinaj duke bërë të ditur se i ka premtuar kryetarit Berisha se këto detyra që i mori prej së afërmi do t’i procedojë në kohën më të shpejtë të mundur.
Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Burim Berisha, tha se ishte kënaqësi që sot kryeministri Haradinaj ishte në Komunën e Fushë Kosovës me të cilin tha se i biseduan hapur disa tema të rëndësishme për qytetarët dhe komunën.
Kryetari Burim Berisha u shpreh falënderues për këtë vizitë, dhe i dhuroi kreut të Qeverisë flamurin kombëtar dhe atë të shtetit të Kosovës, një pikturë dhe tre libra.