Hudhet poshtë aktakuza për korrupsion kundër kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj

Prishtinë | 02 Maj 2018 | 14:25 | Nga

Gjykata Themelore në Gjakovë ka hudhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), me të cilën kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, akuzohej se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Në aktvendimin e rastit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se aktakuza hudhet poshtë pasi që nuk ka prova që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet.

Tutje, në aktvendim thuhet se veprimet e të akuzuarit në suspendimin e zyrtarëve të prokurimit në Komunën e Malishevës dhe lidhjen e kontratës së përkohshme me Labinot Mazrekun, nuk përbëjnë vepër penale sepse nuk ka dashje, përfitim apo dëm të shkaktuar.

Edhe mbrojtësi i kryetarit Begaj, avokati Emrush Kastrati, e ka konfirmuar lajmin për “Betimi për Drejtësi” se Gjykata Themelore e Gjakovës, me aktvendim e ka hudhur poshtë aktakuzën ndaj klientit të tij, në mungesë të provave.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit të dytë të mbajtur më 26 mars 2018, avokati Emrush Kastrati pati kërkuar që aktakuza në këtë rast të hudhet poshtë sepse sipas tij, nuk qëndrojnë pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), se klienti i ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Kastrati pati deklaruar se nuk është e vërtetë se klienti i tij nuk e ka lajmëruar dosjen e humbur të kompanisë tenderuese por përkundrazi ka ndërmarrë të gjitha veprimet adekuate pasi është gjetur ajo, duke shtuar se ai nuk merret me detyra administrative komunale.

Në anën tjetër, prokurori i rastit, Abdurrahim Islami, pati deklaruar se në rastin konkret, provat ekzistuese në shkresat e lëndës janë të marra në bazë të ligjit, të gjitha janë të pranueshme dhe tregojnë se i akuzuari me dashje ka shkelur ligjin dhe nuk i ka kryer detyrat e tij ashtu siç i parasheh ligji.

Gjykatësi i rastit, Gëzim Pozhegu, pati njoftuar palët se rreth kundërshtimit të aktakuzës do të vendosë jashtë seancë.

Për nisjen e hetimeve ndaj kryetarit të Malishevës si dhe për ngritjen e aktakuzës ndaj tij, për herë të parë kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të ngritur më 29 dhjetor 2017, Ragip Begaj, akuzohet se duke qenë kryetar i Komunës së Malishevës, ka angazhuar Labinot Mazrekun, në  cilësinë e menaxherit të prokurimit për rreth shtatë muaj, megjithëse komuna kishte të punësuar një menaxher të tillë të prokurimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Begaj edhe pse ka kuptuar se në zyrën e menaxherit të prokurimit, Haxhi Krasniqit, ka pas keqpërdorime, respektivisht ka humbur dosja e operatorit ekonomik “SHPK Albakos & NNSH Korben”, Pejë-Gjakovë, i cili operator kishte parashtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), si palë e pakënaqur dhe ankesa i ishte aprovuar nga ky organ.

Sipas vendimit të OSHP-së, të datës 11 gusht 2014, vendimi i autoritetit kontraktues është anuluar si i pabazë dhe është urdhëruar ky autoritet ta kthej lëndën në ri-tenderim, si dhe ka obliguar Komunën e Malishevës që të merr në përgjegjësi personat përgjegjës për humbjen e ofertës.

Në aktakuzë shkruan se i pandehuri pas pranimit të vendimit, në procedurë të shpejtuar ka pezulluar të gjithë zyrtarët e prokurimit nga puna me 50 % të pagës prej 14 gushtit 2014 edhe pse dosja ishte zbuluar në zyrën e menaxherit të prokurimit, vetëm dy ditë pas pranimit të vendimit nga OSHP.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme