Hulumtimi amerikan: “Xhemati Alban”, njësia me shqiptarë e ISIS-it ende aktive në Siri

Prishtinë | 12 Gus 2019 | 13:19 | Nga Ekonomia Online

Një studim i realizuar nga Akademia Ushtarake dhe Qendra e Luftës Kundër Terrorizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka publikuar disa të dhëna për një grup shqiptarësh që iu bashkuan ISIS-it dhe ende veprojnë në Siri dhe Irak.

Sipas studimit grupi që është ende aktiv është i përbërë vetëm nga shqiptarët, për dallim nga luftëtarët e tjerë të Ballkanit Perëndimor që bëjnë pjesë edhe në grupe të tjera etnish, njofton Klan Kosova.

“Pas shtatë vitesh luftimesh dhe të paktën 260 vdekjeve luftarake, njësia e fundit aktive nga Ballkani Perëndimor në Siri dhe Irak është një njësi modeste etnike luftarake shqiptare që lufton me Hay’at Tahrir al-Sham në Idlib. Pjesa tjetër e atyre që mbeten në Siri dhe Irak, kryesisht të mitur, mbahen në kampe të zhvendosurve të kontrolluar nga kurdët. Rreth 460 të tjerë janë kthyer gradualisht në shtëpi, duke e bërë Ballkanin Perëndimor rajonin me përqendrimin më të lartë të kthimit të luftëtarëve të huaj terroristë në Evropë dhe krijimin e një sfide sigurie afatgjatë të përbërë nga burime jo adekuate dhe kërcënimi që shfaqen nga militantët xhihadi të vendit”, thotë ky studim.

“Prania e fundit aktive e xhihadit nga Ballkani Perëndimor në Siri është një njësi etnike shqiptare brenda HTS. Xhemati Alban është një katiba (njësi luftarake) e përbërë nga luftëtarë etnikë shqiptarë që veprojnë në krahinën veriperëndimore siriane të Idlibit dhe rreth saj. Luftëtarët e etnive të tjera të Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të luftojnë me HTS, por shqiptarët etnikë duket se janë të vetmit nga rajoni që akoma funksionojnë një njësi mono-etnike me strukturën e saj komanduese. Kjo mund të jetë treguese e një numri mjaft të madh të luftëtarëve dhe aftësi të përshtatshme ushtarake. Hulumtimet nga autori dhe idiosinkrizimet gjuhësore nga pamjet propaganduese tregojnë se këta luftëtarë kanë origjinë kryesisht nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova”.

“Komandanti i njësisë është Abdul Jashari, një qytetar shqiptar 42 vjeçar etnik i Maqedonisë së Veriut, i cili mori emrin Abu Qatada al-Albani. Jashari është një figurë me ndikim dhe këshilltar i ngushtë ushtarak i Abu Muhamed al-Julani, udhëheqësi i HTS, i cili emëroi Abu Qatada al-Albani në verën e vitit 2014 për të udhëhequr operacionet ushtarake të organizatës në Siri”.

Mbi 1.000 luftëtarë burra, gra dhe të mitur nga Ballkani Perëndimor kanë qenë në Siri dhe Irak dhe rreth 500 prej tyre nga ky rajon janë akoma atje, përfshirë edhe fëmijët e lindur.

Më poshtë linku i këtij hulumtimi:

https://ctc.usma.edu/western-balkans-foreign-fighters-homegrown-jihadis-trends-implications/

Të ngjashme