Ligjëruesi në UBT, Adhurim Haxhimusa, është shkencëtari i parë shqiptar të cilit i është ndarë çmimi “Stephan Koren”, nga Shoqata e profesorëve të Universitetit të Ekonomisë dhe Biznesit në Vjenë.
Çmimi i është ndarë si rezultat i cilësisë në punimin e doktoraturës më temë: “Rregullimi i industrisë së rrjetit”. Si shkencëtar i ri, ai u vlerësua se me anë të këtij punimi dha kontribut të madh akademik në fushën e ekonomisë.
Ky hulumtim shkencor është zgjedhur si punimi më i mirë i vitit 2018, në bazë të disertacionit të kursit të studimeve që ai ka ndjekur.
Çmimi “Stephan Koren” ndahet çdo vit nga ky universitet në Vjenë, gjithnjë për të mbështetur shkencëtarët e rinj ose kandidatët e doktoraturës, të cilët me përfundimin e doktoraturës ose përgjatë vitit japin kontribut në aspektin akademik ose në fushat e studimit.