Ekstensionet e Google Chrome janë mjaft të dobishme në situata ku është e nevojshme të bllokohen reklamat, të menaxhohen fjalëkalimet, të ruhen fajllat për shikim offline, për shkurtore etj. Megjithatë, si duket një numër mjaft i madh i ekstensioneve të Chrome nuk përmbajnë politika të privatësisë. Kjo u zbulua nga një hulumtim nga kompania Duo Lab, përcjell Ubergizmo.
Sipas Duo Lab, kompania e ka krijuar një vegël falas e cila i analizon ekstensionet e Chrome. Bazuar në 120,000 aplikacionet dhe ekstensionet që mund të gjenden në Chrome Web Store, është zbuluar se deri në 85% të këtyre ekstensioneve nuk kanë politikë të privatësisë. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë garanci me shkrim se të dhënat e mbledhura nga këto ekstensione nuk do të ndahen me të tjerët.
Hulumtimi gjithashtu zbuloi se 35 për qind e këtyre aplikacioneve mund t’i lexojnë të dhënat nga çdo sajt që përdoruesi e viziton, 32% përdorin biblioteka eksterne që kanë lëshime të njohura, ndërsa 77 për qind e ekstensioneve nuk kanë sajt për mbështetje të cilin përdoruesit do të mund ta vizitonin nëse hasin në ndonjë problem.
Edhe pse Google ka ndërmarrë hapa në të kaluarën për ta përmirësuar sigurinë e Chrome, studimi tregon se kompania ende ka shumë punë për ta krijuar një mjedis për ekstensionet në browser.