Human Rights Watch kërkon hetime lidhur me vdekjen e Morsit

Prishtinë | 18 Qer 2019 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Organizata të drejtave të njeriut Human Rights Watch (HRW) i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara (OKB) të fillojë hetim të pavarur ndërkombëtar për vdekjen e presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike të Egjiptit, Mohamed Morsi, transmeton Anadolu Agency (AA).

HRW thekson se Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së duhet të hap hetime për, siç theksuan, shkeljet e shumta të drejtave të njeriut në Egjipt, përfshirë dhe vdekjen e Morsit.

“Vdekja e ish-presidentit Morsi ndodhi pas viteve të abuzimit të qeverisë, izolimit të zgjatur, pa kujdesin e duhur mjekësor dhe ndalesa e vizitave familjare dhe qasjes së avokatëve. Në rastin më të vogël, qeveria egjiptiane ka bërë shkelje serioze ndaj Morsit duke ia mohuar të drejtat e të burgosurit të cilat kanë plotësuar standardet minimale”, ka thënë Sarah Leah Whitson, drejtor i HRW-së për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në mënyrë demokratike Mohammed Morsi, ndërroi jetë dje në gjykatë. Sipas televizionit shtetëror egjiptian, Morsi ndërroi jetë pasi më parë ra pa ndjenja në sallën e gjykatës.

“Qeveria egjiptiane gjashtë vjet nuk arriti t’i sigurojë Morsit të drejtat themelore që kishte si i burgosur, si kujdesin shëndetësor, vizitat familjare, përkundër përkeqësimit të gjendjes së dukshme fizike dhe kërkesave të tij që t’i mundësohet kurimi”, thuhet në deklaratën e Whitson.

Në deklaratën e HRW-së theksohet se sjellja ndaj Morsit kundërshtohet me të drejtën ndërkombëtare dhe se ajo mund të klasifikohet si krim të torturës.

“Çfarëdo që të jetë opinioni i ndokujt në lidhje me politikën Morsit, sjellja ndaj tij ishte e tmerrshme, dhe kundër atyre që janë përgjegjës duhet të nisin hetime dhe të ndiqen penalisht në mënyrën e duhur”, thuhet më tej në deklaratë.

Morsi ishte presidenti i pestë i Egjiptit dhe ai qëndroi në atë pozicion ndërmjet qershorit 2012 dhe korrikut 2013, kur u rrëzua përmes një puçi ushtarak.

Pas largimit, ai u përball me një seri akuzash të rënda, duke përfshirë nxitjen për vrasjen e kundërshtarëve të tij.

Të ngjashme