Gjykata e shkallës së dytë i ka dhënë të drejtë Kishës Ortodokse në pretendimin për tokën që e ka në pronvsi në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Si pasojë të mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq për pronësinë e tokës në kampusin e UP-së, kjo tokë ka mbetur në pronësi të Kishës Ortodokse.
Toka rreth 4 hektarë në të cilën gjendet Kisha Ortodokse Serbe në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, do t’i takojë Kishës Ortodokse “Sveti Nikolla”.
Gjykata e Apelit në Prishtinë ka marrë vendim që ta hedhë poshtë si të pabazuar ankesën e Universitetit të Prishtinës, ‘Hasan Prishtina’, lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta kondsideruar të tërhequr padinë e UP-ssë për pronësinë e tokës ku gjendet kisha e pa funksionalizuar.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit të marrë më 27 shtator të këtij viti, të cilin e ka siguruar KALLXO.com thuhet se vendimi i Gjykatës Themelore në vitin 2015 kishte qenë i bazuar meqenëse pala paditëse, përkatësisht UP-ja nuk ishte paraqitur në seancën kryesore lidhur me këtë kontest.
Sipas gjykatës, arsyetimi i UP-së për mospjesmarrje në seancë në vitin 2015 kishte qenë fakti se ka pasur protesta të shumta para kishës së lartpërmendur.
“Pretendimet ankimore te palës paditëse se me datën 17.11.2015 dhe me datë 18.11.2015 para ndërtesës se rektoratit ka pasur protesta prej disa dhjetëra punëtorëve, kjo gjykate i konsideroi si të pabazuara sepse kjo nuk ishte pengesë që ata të mos marrin pjesë në seancë. Prandaj, në situatën konkrete të gjitha pretendimet ankimore të debitorëve, Gjykata e Apelit i konsideron të pabazuara dhe të paqëndrueshme ngase nuk kanë bazë në prova konkrete”, thuhet në vendim.
Pas këtij vendimi, Universiteti i Prishtinës ka të drejtë që të nisë procedurat nga fillimi dhe të ushtrojë padi të re për të njëjtën çështje.
Kisha e pafunksionalizuar e cila u ndërtua në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviq në vitet 1990, u bë shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinës.